AKTUALITET /

Rrahën për vdekje bashkëatdhetarin që kishte 3 çeqe 150 mijë euro në Greqi, Prokuroria çon në gjyq Dritan Hoxhën

Dritan Hoxha, në bashkëpunim me shtetasin Besim Besimaj, ka shkaktuar vrasjen e shtetasit Andon Veshaj në krahinën e Larisës, në Greqi, më 17 maj 2010. Hetimet kanë nisur në vitin 2017, pas kallëzimit të bërë nga xhaxhai i viktimës, i cili denoncoi se nipi i tij ishte gjetur i rrahur për vdekje brenda makinës së tij.

Shkruar nga Versus

Rrahën për vdekje bashkëatdhetarin që kishte 3 çeqe

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjyq shtetasin Dritan Hoxhën për veprën penale të ‘Vrasjes me paramendim’ të kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 78 dhe 25 të Kodit Penal.

Në përfundim të hetimeve mbi procedimin penal nr. 4139 të datës 30.06.2023, u provua se shtetasi Dritan Hoxha, në bashkëpunim me shtetasin Besim Besimaj, ka shkaktuar vrasjen e shtetasit Andon Veshaj në krahinën e Larisës, në Greqi, më 17 maj 2010.

Hetimet kanë nisur në vitin 2017, pas kallëzimit të bërë nga xhaxhai i viktimës, i cili denoncoi se nipi i tij ishte gjetur i rrahur për vdekje brenda makinës së tij. Pas analizës së provave dhe zhvillimit të hetimeve, rezultoi se shtetasi D.H. kishte pasur njohje me viktimën dhe se natën e ngjarjes ata ishin në të njëjtin bar, që administrohej nga viktima, ku kanë konsumuar alkool.

Sipas të dhënave të tabulateve telefonikë, shtetasi Dritan Hoxha ka komunikuar me Besim Besimaj pas largimit të tyre nga lokali. Të dy këta shtetas kanë ushtruar dhunë fizike ndaj viktimës, duke e goditur në këmbë, duar dhe pjesë të ndryshme të trupit, deri në vdekjen e tij. Pas këtyre akteve dhune, ata e kanë futur viktimën në makinën e tij dhe e kanë lëvizur nga vendi i ngjarjes.

Gjatë natës së ngjarjes, viktima ka pasur tre çeqe me vlerë 150 mijë euro. Ai ka humbur jetën pas goditjeve të rënda në kokë, të cilat i shkaktuan vdekjen.

Nga hetimet e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, është provuar se shtetasi Dritan Hoxha, në bashkëpunim me Besim Besimaj, ka kryer veprën penale të ‘Vrasjes me paramendim’ në dëm të viktimës Andon Veshaj dhe tani do të përballet me akuzat për këtë krim të rëndë.

Poll