Bregdeti shqiptar po përjeton një krizë mjedisore të rëndë që kërcënon natyrën dhe ekonominë e vendit.
Nga Velipoja, ku forca e valëve po shndërron në hi një pyll me pisha shekullor, deri në Golem, ku urbanizimi i pakontrolluar po përshpejton erozionin, pasojat e ndryshimeve klimatike janë gjithnjë e më të dukshme, shkruan La Repubblica.
NASA: Rritja e nivelit të detit dhe pasojat për Shqipërinë
Në një raport të fundit, NASA ka njoftuar se niveli mesatar i detit në planetin Tokë është rritur me 10 cm gjatë 30 viteve të fundit, duke pasur ndikim të drejtpërdrejtë në bregdetin shqiptar.
Gjatë kësaj periudhe, Shqipëria ka parë një rritje të ndjeshme të turizmit, me numrin e vizitorëve që kaloi nga 5.9 milionë në vitin 2018 në mbi 10 milionë në vitin 2023. Por përhapja e hoteleve, restoranteve dhe bareve në plazhe po shkakton dëme të mëdha në ekosistemet natyrore.
Sipas Besjana Shehut, një specialiste e planifikimit urban, “Nga 273 kilometra vijë bregdetare, 154 km janë të prekura nga erozioni.” Në Velipojë, një nga zonat më të prekura, deti përparon me më shumë se pesë metra çdo vit, duke përmbytur pyllin me pisha dhe kërcënuar ekosistemin e tij të brishtë. Pishat që dikur ishin mbrojtëse të natyrës, tani janë të mbuluara nga rëra dhe po shuhen për shkak të erozionit.
Zhdukja e ishullit Franz Jozef dhe përkeqësimi i erozionit
Një tjetër dëshmi e tragjedisë ekologjike është zhdukja e Ishullit Franz Jozef, i cili është gëlltitur nga deti që nga viti 2012. Ky ishull i cili ishte një strehë natyrore për zogjtë dhe një destinacion i njohur turistik është bërë një viktimë e rritjes së niveleve të ujit dhe ndërtimit të digave dhe hidrocentraleve në rajon, siç thekson profesor Ervis Krymi.
Po ashtu, edhe banorët e Kunes, në jug të vendit, janë të shqetësuar për fenomenet e stuhive që po përshpejtohen vit pas viti. Sipas ekspertëve, kjo është pasojë e ndryshimeve klimatike që po bëjnë detin gjithnjë e më agresiv dhe duke përparuar me ritëm të shpejtë drejt tokës.
Pasojat për ekonominë dhe turizmin: Ndërprerja e aktivitetit në plazh
Në Golem, një nga destinacionet më të njohura turistike, pronarët e bizneseve janë të shqetësuar për rënien e vijës bregdetare, e cila ka humbur rreth 70 metra gjatë 16 viteve të fundit.
Ndërsa autoritetet shqiptare paralajmërojnë se deri në vitin 2030, rreth 32% e sipërfaqes së habitateve bregdetare do të preken nga përmbytjet dhe erozioni, ky fenomen po kërcënon jo vetëm natyrën, por edhe ekonominë dhe zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit.
Shqetësimi i banorëve dhe nevoja për veprim të menjëhershëm
Autoritetet lokale dhe ekspertët e mjedisit po kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme për të parandaluar shkatërrimin e mëtejshëm të bregdetit shqiptar. Veprimi i shpejtë është i domosdoshëm për të ruajtur ekosistemet natyrore dhe për të mbrojtur turizmin, që mbetet një nga burimet më të rëndësishme të të ardhurave për Shqipërinë. /Versus.al/








