
Më 5 gusht 2024, organizata mjedisore amerikane “Basel Action Network” ngriti alarmin se një anije gjigande kontenjerësh e linjës Maersk, e cila peshonte rreth 175 mijë ton, ishte zhdukur nga radarët në fund të korrikut pranë Cape Town në Afrikën e Jugut, pas një sinjalizimi që organizata kishte bërë tek autoritetet vendase.
Sipas të dhënave të “BAN”, anija ‘Maersk Campton’ dhe anija tjetër ‘Maersk Candor’ kishin ngarkuar në portin e Durrësit në fillim të korrikut rreth 100 kontenjerë me mbetje të rrezikshme, të cilat vinin nga hiri i oxhaqeve metalurgjike elektrike (EAFD) dhe kishin destinacion Tajlandën.
Organizata njoftoi se kjo nuk ishte dërgesa e parë e këtij lloji, pasi një transport i ngjashëm u bllokua më herët këtë vit nga Dogana kineze në Fangcheng.
Autoritetet portuale në Singapor bllokuan kontenjerët e nisur nga Shqipëria dhe parashikuan kthimin e tyre në Durrës në muajt e ardhshëm.
Hetimet identifikuan kompaninë “Sokolaj” shpk si eksportuese e kontenjerëve dhe “Kurum International” sh.a si burimin e mbetjeve.
Megjithatë, më 21 gusht 2024, kompania Kurum mohoi përfshirjen në eksport, duke deklaruar se:
“Kurum International asnjëherë nuk ka eksportuar mbetje të rrezikshme; ngarkesa për të cilën bëhet fjalë nuk është eksportuar nga ne.”
Por më 27 tetor 2024, një ditë para se anija të shfaqej pranë portit të Durrësit, Prokuroria e Durrësit urdhëroi sekuestrimin e kontenjerëve.
Hetimet përfshinë edhe OLAF në Bruksel dhe që nga kthimi i ngarkesës, mbetjet mbaheshin në Porto Romano, duke mbajtur në alarm autoritetet mjedisore dhe institucionet shqiptare./Versus.al


