Autoritetet greke kanë goditur një grup kriminal në Selanik, i dyshuar për kryerjen e një atentati me armë zjarri dhe trafik droge në linjën Shqipëri-Greqi. Tre persona nga Korça, janë arrestuar si pjesë e këtij operacioni.
Të arrestuarit janë: Gentian Cipi, 39 vjeç, me precedentë penalë në Shqipëri, Enea Basholli, 30 vjeç, dhe Kleo Topa, 23 vjeç. Ata akuzohen se më 3 shtator, në zonën e Pilaias në Selanik, kanë hapur zjarr jashtë një lokali, duke tentuar të vrasin një 25-vjeçar grek, i cili u plagos rëndë në gjoks dhe dorë. Në vendngjarje u gjetën tre gëzhoja.
Sipas deklaratave të policisë greke, Gentian Cipi është identifikuar si autori kryesor i atentatit dhe konsiderohet kreu i grupit kriminal, i përfshirë në trafik droge dhe veprime të dhunshme. Pas sulmit, tre të dyshuarit u larguan me një automjet në pronësi të Enea Bashollit.
Gjatë një operacioni për kapjen e tyre në Selanik, Cipi dhe Topa nuk iu bindën urdhrit të policisë, duke shtuar shpejtësinë dhe kryer manovra të rrezikshme, përfshirë përplasjen e një automjeti policie. Ata braktisën makinën dhe u larguan në këmbë, por u kapën pak më vonë. Më pas, në zonën e Halkidikisë, u arrestua edhe Enea Basholli.
Gjatë kontrolleve të policisë, u sekuestruan një armë kallashnikov me 30 fishekë, tre pistoleta, një silenciator, rreth 31 kg marijuanë, pasaportë dhe patentë false, 23,350 euro në para të gatshme, disa celularë dhe tre automjete.
Policia greke vijon hetimet për zbardhjen e plotë të aktivitetit të këtij grupi kriminal dhe lidhjeve të tij në trafikimin ndërkombëtar të drogës.







