Një numër i madh qytetarësh nga Kosova e jo vetëm janë mbledhur në Hagë për të kundërshtuar gjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Protestuesit kërkojnë drejtësi për ish-krerët e UÇK-së
Nga fotot e videot të cilat po qarkullojnë në media socoale, shihen një numër i madh i protestuesve, të cilët janë mbledhur për më shumë se dy orë para nisjes së protestës.
Ish-veteranë dhe qytetarë nga shumë vende të botës kanë nis të mblidhen në Hagë, në protestën e thirrur në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së të cilët po gjykohen në Dhomat e Specializuara.
Protesta nisi në orën 14:00 dhe nuk do të mbahet para ndërtesës së Gjykatës Speciale, sepse kjo nuk është lejuar për shkaqe të sigurisë, por vetëm në afërsi të saj. Protesta ishte paralajmëruar që do të ishte masive për shkak të interesimit të madh të shqiptarëve nga vende të ndryshme të botës.
Fatmir Koci, ish-ushtar i UÇK-së ka thënë se janë mbledhur sot për t’i thënë jo padrejtësive. Ai ka thënë se nuk ishin as agresori e as pushtuesi. Ka shtuar se duan drejtësi për ata që luftuan për lirinë e popullit. Sipas tij, pas gjithë sakrificës që UÇK-ja bëri për të sjellë lirinë, sot po gjykohet padrejtësisht.
“Kriminelët serbë nuk janë dënuar, nuk po gjykohen e nuk janë prekur nga askush. Sot ata që mbrojtjen popullin, po gjykohen padrejtësisht”, ka thënë ai. Koci ka thënë se nuk do ta pranojnë asnjëherë padrejtësinë që po u bëhet ish-udhëheqësve të UÇK-së.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka përkrahur protestën në Hagë, në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Pak para fillimit të protestës, derisa protestuesit po mblidhen në vendin ku është paraparë të mbahet, Rama ka shkruar në Facebook, duke i dërguar mesazh ish-presidentit, Hashim Thaçi.
“Liria ka emër, me zemër e mendje jam edhe unë atje sot Komandant. Liri për çlirimtarët”, ka shkruar Rama.
Protesta në Hagë vjen një ditë para fillimit të dëgjimit të dëshmitarë të mbrojtjes. Një protestë tjetër ishte mbajtur në prill të vitit 2023 kur kishte nisur gjykimi.







