Ndërsa vendi, nga veriu në jug, po përballet me dhjetëra vatra zjarri, Policia e Shtetit ka identifikuar dhe proceduar penalisht disa persona të dyshuar si autorë të zjarrvënieve të qëllimshme.
Gjatë orëve të fundit janë arrestuar 8 persona, ndërsa një tjetër po hetohet në gjendje të lirë.
Pamjet e publikuara nga policia tregojnë një prej zjarrvënësve, i cili është kapur nga kamerat e sigurisë pranë një sipërfaqeje me ullinj.
Në video shihet teksa ecën në rrugë, kthen kokën për t’u siguruar që nuk e shikon askush, dhe më pas dyshohet se hedh një cigare në tokë, duke shkaktuar një zjarr me përmasa të mëdha.
Në lagjen “Uznovë” flakët rrezikuan disa banesa dhe dogjën një sipërfaqe të konsiderueshme toke, ndërsa në fshatin Osmëzezë u shkrumbuan tokë dhe pemë frutore.
Rastet kryesore të arrestimeve:
Krujë – Në fshatin Barkanesh u prangos 19-vjeçari Endri Doku, i cili dogji ullishtet e fqinjëve pas një konflikti për pronësinë. Ngjarja ndodhi ndërsa ai ndodhej në arrest shtëpie për kultivim të bimëve narkotike.
Memaliaj – U arrestua 62-vjeçari Bashkim Lika, i dyshuar se ka ndezur zjarr në zonën pyjore pranë fshatit Koshtan. Flakët shkrumbuan sipërfaqe të mëdha pyjore, rreth 400 pemë frutore dhe 3 banesa të pabanuara.
Fier – Në pranga përfundoi 61-vjeçari Shezai Banaj, i akuzuar për ndezjen e zjarrit në luginën e lumit Vjosa, në zonën e “Mezarakut”. Nga flakët u dogj një sipërfaqe toke, 300 pemë ulliri dhe bimësi të ndryshme të parkut kombëtar.
Lushnjë – U arrestua 58-vjeçari Arjan Kaja, i cili dyshohet se ndezi zjarr në tokën e tij në fshatin Dushk. Flakët u përhapën në një sipërfaqe më të madhe, ndërsa ai pengoi ndërhyrjen e zjarrfikësve.
Durrës – Një grua po hetohet në gjendje të lirë pasi ndezi zjarr në oborrin e banesës për të djegur mbeturina. Flakët u përhapën, duke shkrumbuar një sipërfaqe toke dhe një kasolle.
Policia apelon për ndërgjegjësim dhe paralajmëron se do të ndëshkojë me masa të rrepta çdo akt zjarrvënieje, ndërsa ekipet zjarrfikëse po punojnë pa ndërprerje për të frenuar përhapjen e flakëve./Versus.al







