AKTUALITET /

Shpërthimi me pasojë vdekje në Shkodër, Policia dhe OSHEE me qëndrime të ndryshme

Një 69-vjeçar humbi jetën pas një shpërthimi në hyrjen e një pallati në lagjen “Manush Alimani” në Shkodër. Ndërsa Policia dyshon për panelin e matësave të energjisë, OSHEE e mohon këtë version dhe hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Shkruar nga Versus
Shpërthimi me pasojë vdekje në Shkodër, Policia dhe OSHEE me
Foto ilustruese

Një ngjarje e rëndë me pasojë humbjen e jetës së një personi është shënuar mëngjesin e së hënës në Shkodër, ndërsa autoritetet japin versione të ndryshme për shkakun e shpërthimit. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 10:10, në hyrjen e një pallati në lagjen “Manush Alimani”.

Si pasojë e shpërthimit, është plagosur rëndë shtetasi Hysni Ymeri, 69 vjeç, i cili u transportua me urgjencë në Spitalin Rajonal Shkodër, por fatkeqësisht ka ndërruar jetë.

Policia njoftoi fillimisht se dyshohet që shpërthimi ka ndodhur në panelin e matësave të energjisë elektrike, ndërsa grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për sqarimin e rrethanave dhe përcaktimin e shkakut të saktë të ngjarjes.

Nga ana tjetër, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) ka përjashtuar këtë mundësi.

Në një deklaratë zyrtare, OSHEE thekson se, sipas informacioneve paraprake, shpërthimi nuk ka ndodhur për shkak të boksit të matësave të energjisë në pallat. Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht shkakun e shpërthimit, ndërsa autoritetet pritet të dalin me një konkluzion përfundimtar mbi ngjarjen tragjike./Versus.al

Poll