AKTUALITET /

“Shteti na tha të investojmë, tani na i shemb”, banorët e Thethit kundër aksionit të IKMT, përplasen me policinë

Përplasja ka ardhur pasi banorët kanë bllokuar urën e hyrjes për në fshatin turistik të Thethit aty ku IKMT vijon me aksionin e prishjes së shtëpizave të drurit.

Shkruar nga Versus

“Shteti na tha të investojmë, tani na i shemb”,

Shkodër- Banorët e Thethit kanë dalë në protestë sërish ditën e sotme kundër aksionit të IKMT për prishjen e bizneseve në kuadër të aksionit për lirimin e hapësirave publike.

“I kemi ndërtuar në tokën tonë, shteti të mos na i shembë sepse vetë na tha të investojmë”- janë shprehur disa prej banorëve.

Gjatë protestës ka patur edhe përplasje me policinë pasi banorët bllokuan urën në hyrje të fshatit turistik. Gjatë protestës disa prej banorëve sqaruan se nuk kanë asnjë qëllim të përplasen me policinë, por po përpiqen të mbrojnë pronat e trashëguara brez pas brezi. 

Njëri prej banorëve shpërtheu në lot para gazetarëve teksa u shpreh se kjo ishte mundësia e vetme që familja e tij kishte për të nxjerrë të ardhura. 

Aksioni i IKMT në Theth nisi menjëherë pasi kryeministri Edi Rama papritmas nxorri pamje nga fshati turistik duke shprehur habinë e tij sesi janë ndërtuar aq shumë shtëpiza druri pa leje ndërkohë që Thethi është Park Kombëtar dhe zonë e mbrojtur. Për ndërtimet, Rama kritikoi ashpër prokuroren e Shkodrës Elsa Gjeli, duke e akuzuar këtë të fundit se ka tradhëtuar qytetarët duke mos nisur hetimet edhe pas denoncimeve të bëra për ndërtime pa leje. Versus.al

 

Poll