
Vetëm dy ditë pas zbulimit të hyrjes së modeles kosovare Ziza Pajaziti në burgun e sigurisë së lartë të Drenovës, Prokuroria e Korçës ka nisur një hetim për të sqaruar rrethanat e këtij rasti, duke kërkuar zyrtarisht nga drejtoria e burgut dokumentacionin e plotë të procedurës së ndjekur.
Hetimi është regjistruar për veprën penale "Shpërdorim detyre", ndërsa në fokus janë ish-drejtori i burgut, Fatjon Fasho, dhe ish-shefi i policisë së burgut, Sokol Kaçoli, të cilët janë larguar nga detyra një javë më parë pas publikimit të këtij rasti në media, shkruan Oranews.
Sipas informacioneve, gjatë kontrollit në ambientet e burgut, janë sekuestruar edhe 4 telefona celularë të përdorur nga tre nga anëtarët kryesorë të grupit kriminal të Laert Haxhiut, përfshirë vetë atë, Orgest Bilbilin dhe Anterio Kaloshin.
Çfarë po hetohet?
Prokuroria kërkon të administrojë rregulloren dhe praktikat e takimeve me persona të jashtëm në burg, pasi dyshohet se është shkelur protokolli. Sipas rregullores së institucioneve të vuajtjes së dënimit, vetëm bashkëshortët e ligjshëm kanë të drejtë të zhvillojnë takime private me të dënuarit.
Në këtë rast, po verifikohet nëse ka pasur falsifikim dokumentesh, që pretendonin një martesë mes të dënuarit përjetë Vladimir Kurti dhe modeles Ziza Pajaziti. Dyshohet se noterë dhe persona të tjerë nga jashtë kanë ndihmuar për të paraqitur një marrëdhënie fiktive si ligjore.
Ajo që ka rënduar më tej skandalin është fakti se, ndonëse takimi ishte i parashikuar me Vladimir Kurtin, në dhomën speciale është futur Laert Haxhiu, duke ngritur dyshime të forta për manipulim të procedurës nga brenda burgut.
“Takimet e rreme” – një fenomen që po përhapet në burgjet e sigurisë së lartë
Burime të ndryshme konfirmojnë se ky nuk është rasti i vetëm. Në burgjet e sigurisë së lartë në Shqipëri – përfshirë atë të Drenovës, Burrelit, Peqinit dhe paraburgimin 313 në Tiranë – ka pasur raste të përsëritura ku femra të showbiz-it, eskorta nga Kosova, Venezuela dhe vende të tjera kanë hyrë në mënyrë të dyshimtë për “takime të veçanta” me të dënuarit, duke u prezantuar si bashkëshorte apo familjare të tyre.
Prokuroria ka paralajmëruar zgjerimin e hetimeve edhe për raste të tjera të ngjashme, ndërsa pritet të hetohet nëse ky fenomen është bërë një praktikë sistematike me mbështetje nga brenda institucioneve./Versus.al







