Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar se deri në orën 20:00 të mbrëmjes së sotme janë regjistruar 22 vatra zjarri në të gjithë territorin e vendit. 20 prej tyre janë shuar, ndërsa dy vatra mbeten ende aktive, përkatësisht në Hoshtimë të Vlorës dhe në pyllin e Ballenjës në Bulqizë.
Në Hoshtimë, ndërhyrja nga toka ka qenë e vështirësuar për shkak të terrenit të thyer, temperaturave të larta dhe erës së fortë. Për këtë arsye, është angazhuar edhe një helikopter i Forcave të Armatosura, duke ndihmuar në përpjekjet për shuarjen e flakëve.
Ndërkohë, në pyllin e Ballenjës, forcat zjarrfikëse dhe vullnetarë lokalë po punojnë në terren për të izoluar dhe shuar vatrën e mbetur aktive.
Ministria njoftoi se në operacion janë angazhuar:
1 helikopter i Forcave të Armatosura,
njësi të zjarrfikësve nga bashkitë përkatëse,
forca vullnetare dhe strukturat e emergjencës civile.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin ndezjen e zjarreve në natyrë dhe të raportojnë menjëherë çdo rast të dyshimtë për të shmangur përhapjen e flakëve në këto temperatura të larta. /Versus.al







