
Situata në aksin kombëtar Prrenjas–Elbasan vijon të mbetet kritike edhe në orët e vona të së premtes, duke u shndërruar në një nga bllokimet rrugore më të rënda të viteve të fundit. Mijëra automjete janë të paralizuara për dhjetëra kilometra, ndërsa dhjetëra mijëra qytetarë kanë mbetur të izoluar në kushte tepër të vështira, përballë temperaturave nën zero dhe mungesës së plotë të lëvizjes.
Sipas informacioneve nga terreni, bllokimi masiv pas orës 20:00 shtrihet nga Ura e Bushtricës në Qukës, në territorin e Bashkisë Prrenjas, deri në zonën e Fushë Labinotit në Elbasan. Ky segment jetik i rrugës kombëtare është kthyer në një “korridor të ngrirë”, me radhë të pafundme automjetesh, kaos të plotë dhe drejtues mjetesh që presin prej orësh pa asnjë orientim apo zgjidhje konkrete.
Drejtuesit e automjeteve dhe pasagjerët raportojnë kushte ekstreme, mungesë ndihme dhe pasiguri të vazhdueshme. Qëndrimi i zgjatur në automjete, pa ngrohje të mjaftueshme dhe pa akses në shërbime bazë, po e përkeqëson edhe më tej situatën, ndërsa qarkullimi mbetet i paralizuar që prej orëve të para të mëngjesit, pa sinjale reale për përmirësim.
Sipas të dhënave paraprake, situata është rënduar nga moti i keq, ngricat dhe reshjet, por edhe nga mungesa e gatishmërisë së firmave përgjegjëse për mirëmbajtjen e rrugës. Prania e akullit në segmente të caktuara ka krijuar kushte tejet të rrezikshme për qarkullimin, duke sjellë bllokim total dhe rrezik serioz për sigurinë e qytetarëve.
Shqetësuese mbetet edhe mungesa e reagimit zyrtar. Deri në këto momente nuk ka pasur asnjë njoftim publik mbi shkaqet konkrete të situatës apo masat që po merren për normalizimin e trafikut. Pavarësisht përmasave të bllokimit dhe situatës së cilësuar nga qytetarët si e paprecedentë, ndërhyrja e autoriteteve ka munguar, ashtu si edhe informimi i drejtuesve të mjeteve.
Qytetarët e bllokuar shprehin revoltë dhe shqetësim për sigurinë dhe shëndetin e tyre, duke kërkuar ndërhyrje urgjente për pastrimin e rrugës, shpërndarjen e ndihmës dhe orientimin e trafikut. Sipas tyre, kjo situatë përfaqëson një dështim serioz në menaxhimin e emergjencave dimërore në një nga akset më të rëndësishme që lidh lindjen me qendrën e vendit.
Ndërkohë, bllokimi në aksin Prrenjas–Elbasan vijon, ndërsa mijëra qytetarë mbeten të izoluar në pritje të një reagimi që ende mungon./ Versus.al

