
Një ngjarje e pazakontë dhe plot tension ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në qytetin bregdetar të Sarandës, duke tërhequr vëmendjen e dhjetëra pushuesve dhe turistëve në kulmin e sezonit veror.
Një i ri shqiptar tentoi t’i shpëtonte ndjekjes policore në mënyrë spektakolare, duke u hedhur në det me një çantë të dyshimtë në qafë, pas një kontrolli rutinë të policisë.
Ngjarja ndodhi në rrugën “Butrinti”, ku forcat e policisë ndaluan një automjet luksoz tip Porsche Panamera, në të cilin ndodheshin tre persona.
Gjatë ndërhyrjes së forcave speciale “Shqiponja”, njëri prej të dyshuarve braktisi makinën dhe u largua me vrap, për t’u hedhur më pas në ujë, duke mbajtur me vete një çantë të varur në qafë.
Dy pasagjerët e tjerë që ndodheshin në automjet nuk tentuan të largohen dhe janë ndaluar menjëherë nga policia. Ata janë shoqëruar në komisariatin e Sarandës për t’u marrë në pyetje në lidhje me incidentin.
Ndërkohë, i dyshuari që u hodh në det u pa duke notuar disa metra larg bregut, ndërsa forcat policore kërkuan ndihmën e Policisë Kufitare.
Menjëherë u aktivizua një skaf patrullues, i cili u drejtua drejt koordinatave të dhëna dhe lokalizoi personin që po tentonte të arratisej. Pas ndalimit në ujë, ai u shoqërua në komisariat bashkë me dy personat e tjerë.
Burime jozyrtare bëjnë me dije se çanta që mbante i riu është e dyshuar për mbajtjen e sendeve të paligjshme ose lëndëve narkotike. Dyshohet gjithashtu se ai mund të ketë hedhur në det çantën për të shmangur kapjen me prova.
Në vendin e ngjarjes ndodheshin dhjetëra turistë dhe kalimtarë të rastësishëm, të cilët ndoqën të gjithë skenën nga bregu dhe regjistruan momentet dramatike të ndjekjes dhe ndërhyrjes së policisë detare.
Pamjet e shpërndara në rrjete sociale tregojnë për një atmosferë tensioni, kureshtjeje dhe alarmi në zemër të qytetit.
Ndërkohë, automjeti luksoz është sekuestruar dhe po i nënshtrohet kontrolleve të imtësishme. Në orët në vijim pritet një deklaratë zyrtare nga Policia e Sarandës, ku do të bëhet i ditur identiteti i të ndaluarve dhe detaje të tjera mbi çështjen që ka ngritur pikëpyetje mbi natyrën e aktivitetit të tyre./Versus.al







