
Një tjetër SMS mashtruese po qarkullon në telefonat celularë të qytetarëve shqiptarë së fundmi pas atij me Postën Shqiptare.
Policia e Shtetit bën me dije se disa qytetarëve u kanë mbërritur SMS mashtruese ku pretendohet se bëhet fjalë për njoftim nga e-Albania për gjobë të vendosur për makinën. Në thirrjen e policisë u kërkohet qytetarëve që të mos klikojnë asnjë link pasi mund t’u vidhen të dhënat bankare.
Njoftimi i policisë:
Policia e Shtetit njofton qytetarët se është evidentuar një skemë e re mashtrimi përmes mesazheve SMS, e ngjashme me atë të “Postës Shqiptare”, për të cilën është depozituar kallëzim edhe nga vetë institucioni(Posta Shqiptare), pranë strukturave për Hetimin e Krimeve Kibernetike në Policinë e Shtetit.
Mesazhet paraqiten në mënyrë të rreme si njoftime nga e-Albania për pagesën e gjobave të automjeteve dhe përmbajnë linke të falsifikuara që drejtojnë përdoruesit në faqe të rreme, me qëllim përvetësimin e të dhënave personale dhe bankare.
Këto mesazhe janë mashtrim dhe nuk kanë asnjë lidhje me e-Albania apo me institucionet shtetërore.
Qytetarët këshillohen:
* Të mos klikojnë në linke të dërguara përmes SMS-ve nga numra të panjohur
* Të mos japin të dhëna personale apo bankare në faqe të pakonfirmuara
* Të mos veprojnë nën presionin e mesazheve që krijojnë urgjencë
Rekomandohet:
* Përdorimi vetëm i faqes zyrtare https://e-albania.al
* Fshirja e menjëhershme e mesazheve të tilla
* Raportimi i çdo rasti pranë autoriteteve. Versus.al

