
Sot në Gjykatën e Posaçme zhvillohet seanca e dytë e gjyqit në themel ndaj kreut të Partisë së Lirisë Ilir Meta. Ish-presidenti ka dorëzuar një deklarate ku thotë se nuk do të marrë pjesë se seancën ku do të diskutohet masa e sigurisë, por do të jetë i pranishëm në seancën ku do të zhvillohet gjyqi në themel.
Në sallën e gjyqit janë të pranishëm edhe Sekretari i Përgjithshëm i PD Flamur Noka, Sekretari i Përgjithshëm i PL, Tedi Blushi dhe deputeti Klevis Balliu të cilët shprehën shqetësim për gjendjen e kreut të PL gjatë seancës së parë të gjyqit në themel ku kamerat u lejuan vetëm për pak minuta dhe filmuan ndryshimin drastik në pamjen e Metës.
Seancën e kaluar, kreu i PL nuk kurseu akuzat ndaj organeve të drejtësisë duke e konsideruar procesin ndaj tij si totalisht të rremë.
“Nuk jam unë në pozita të pabarabarta, por ata. Me shpifje dhe gënjeshtra, me kallëzues të rremë, një proces i turpshëm kundër shtetit shqiptar, jo kundër Ilir Metës. Ju ftoj nga sot deri në momentin e fundit, ju ftojë të ndiqni dhe transmetoni live të gjithë procesin. Ju garantoj se mbaj përgjegjësi për çdo veprim, akt dhe sjellje timen”- u shpreh Meta. Versus.al

