AKTUALITET /

Spitali i Vlorës reagon pas denoncimeve: Foshnjat u trajtuan me kujdes, nuk ka pasur neglizhencë

Sipas deklaratës zyrtare të spitalit, rasti i parë ka të bëjë me një foshnje 10 muajshe që është paraqitur në urgjencën pediatrike me temperaturë të lartë.Rasti i dytë, sipas spitalit, nuk ka lidhje me denoncimin e parë. Bëhet fjalë për një fëmijë të sjellë në gjendje të rëndë shëndetësore, pa frymëmarrje dhe me shenja konvulsionesh

Shkruar nga Versus

Spitali i Vlorës reagon pas denoncimeve: Foshnjat u trajtuan me kujdes, nuk

Spitali Rajonal i Vlorës ka reaguar zyrtarisht lidhur me denoncimet e publikuara në disa media online mbi shërbimin pediatrik, duke sqaruar se bëhet fjalë për dy raste të ndryshme të ndodhura në të njëjtën ditë.

Sipas deklaratës zyrtare të spitalit, rasti i parë ka të bëjë me një foshnje 10 muajshe që është paraqitur në urgjencën pediatrike me temperaturë të lartë. Foshnja është ekzaminuar menjëherë, i janë vendosur perfuzione dhe është trajtuar në dhomën e observimit, nga ku më pas është larguar në gjendje të stabilizuar. Spitali mohon kategorikisht pretendimet se trajtimi është bërë në një ambient pas magazinave, duke sqaruar se është përdorur një hapësirë funksionale dhe e pajisur për qëndrimin afatshkurtër të pacientëve.

Rasti i dytë, sipas spitalit, nuk ka lidhje me denoncimin e parë. Bëhet fjalë për një fëmijë të sjellë në gjendje të rëndë shëndetësore, pa frymëmarrje dhe me shenja konvulsionesh. Mjekët kanë ndërhyrë menjëherë me masazh kardiak dhe frymëmarrje artificiale, duke e vendosur në reanimacion dhe duke kryer analizat dhe procedurat e nevojshme. Pavarësisht përpjekjeve, fëmija ka ndërruar jetë disa orë më vonë. Sipas spitalit, familjarët nuk kanë paraqitur asnjë ankesë ndaj trajtimit.

Spitali Rajonal i Vlorës thekson se janë marrë mostrat biologjike dhe është komunikuar me Institutin e Shëndetit Publik për vijimin e hetimeve epidemiologjike mbi rastin e dytë.

Në fund të reagimit, drejtuesit e spitalit bëjnë apel për verifikim të informacionit dhe shmangie të keqinformimit, duke theksuar përkushtimin e stafit për ofrimin e kujdesit më të mirë të mundshëm për pacientët e vegjël.

Reagimi i spitalit Rajonal Vlorë:

Reagim për publikimet në media lidhur me shërbimin pediatrik në Spitalin Rajonal Vlorë.

Në lidhje me denoncimin e publikuar në media online, sqarojmë opinionin publik se bëhet fjalë për dy raste të ndryshme, të ndodhura të njëjtën ditë në Shërbimin e Pediatrisë në Spitalin Rajonal Vlorë.

Rasti i parë si në video, për të cilin një nënë ka reaguar publikisht, ka të bëjë me një foshnjë 10 muajshe që është paraqitur në urgjencën pediatrike me temperaturë të lartë. Foshnja është pranuar në dhomën e observimit, është ekzaminuar, i janë vendosur perfuzione dhe ka marrë mjekimin e nevojshëm. Pas trajtimit, foshnja është larguar nga spitali në gjendje të stabilizuar.

Ambienti ku është trajtuar ka qenë dhoma e observimit, një hapësirë funksionale dhe e pajisur me kushtet e duhura mjekësore, jo ambient pas magazinave siç është pretenduar.

Mjeku i turnit ka qenë në shërbim për të gjithë pavijonin pediatrik dhe nuk ka pasur asnjë qëndrim keqdashës apo refuzim për të ofruar ndihmë. Gjithashtu, nuk ka pasur asnjë pengesë në ofrimin e shërbimit mjekësor për foshnjën në fjalë.

Rasti i dytë, i cili nuk ka lidhje me denoncimin e mësipërm, ka të bëjë me një fëmijë të sjellë në gjendje kritike, me shenja konvulsionesh dhe pa frymëmarrje.

Fëmija është pritur menjëherë nga personeli mjekësor, i është dhënë ndihma e parë emergjente, përfshirë masazhi kardiak dhe frymëmarrja artificiale, është vendosur në reanimacion, ka marrë oksigjen dhe mjekim të specializuar. Janë kryer analizat përkatëse, rezonanca e trurit dhe çdo ndërhyrje e mundshme për të shpëtuar jetën e tij.

Pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor, fëmija ka ndërruar jetë disa orë më vonë. Familjarët nuk kanë paraqitur asnjë ankesë ndaj shërbimit të dhënë. Për këtë rast, janë marrë edhe mostrat biologjike për të përcaktuar shkakun dhe është komunikuar me Institutin e Shëndetit Publik për vijimin e hetimeve epidemiologjike.

 Duke kuptuar shqetësimin e prindërve dhe ndjeshmërinë e çdo rasti që përfshin fëmijë, kërkojmë nga mediat dhe qytetarët që të shmangin keqinformimin dhe përhapjen e lajmeve të pasakta që dëmtojnë figurën dhe përkushtimin e mjekëve, të cilët punojnë çdo ditë me përgjegjësi të lartë për të garantuar kujdesin më të mirë të mundshëm për pacientët e vegjël./Versus.al

 

 

Poll