
Në muajin gusht të vitit 2025, një denoncim i pazakontë mbërriti në Policinë e Tiranës, për “zhdukjen” e Daniel Shimës, ish-nëndrejtor i Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit.
Deri në atë kohë, Shima kishte vepruar në hije, duke “noterizuar” gjithçka që i jepte për të firmosur drejtoresha Mirlinda Karçanaj. Madje, edhe në dëshminë para hetuesve, ish-nëndrejtori do të deklaronte se “tenderat i bënte me porosi të Mirlindës”.
Një marrëdhënie besimi epror-vartës, por që padyshim në muajt pasardhës do të zbulohej shumëçka, duke qenë se Shima po del akoma më i fuqishëm sesa vetë eprorja. Redaksia e VoxNews ka hulumtuar dhjetëra dokumente, ku rezulton se “viktima” Daniel Shima e ka “lyer gishtin” në shumë raste, madje duke bërë biznesmene edhe nënën e tij, me profesion rrobaqepëse.
Ka dyshime se paratë e tenderave, apo haraçi që paguhej për të marrë një procedurë, “pastrohej” në një kompani, e hapur fillimisht nga shoku i tij, Sokol Përllaku. Në një kohë shumë të shkurtër, kompania xhiroi qindra mijëra euro dhe më vonë bleu troje në Tiranë dhe në zonat bregdetare, sërish duke i regjistruar në emrin e kompanisë apo edhe të vetë familjarëve të Shimës.

VoxNews ka hulumtuar dhjetëra dokumente, nga Qendra Kombëtare e Biznesit, dokumente noteriale apo hipotekore, ku duket qartë lidhja e ish-nëndrejtorit Daniel Shima me kompaninë “Premium Glass”, e themeluar në vitin 2021. Një vit më vonë, aksionere me 100 % të aksioneve bëhet Merita Shima, nëna rrobaqepëse e Daniel Shimës.
Në dokumentin e shitblerjes saktësohet se çmimi i blerjes së aksioneve ka qenë për vetëm 400 euro, duke e bërë Meritën pronare të vetme. Më pas, 55-vjeçarja fillon transaksione për të blerë prona në Tiranë dhe në bregdet. Sipas burimeve nga Kadastra, Merita dhe kompania e saj ka bërë prona edhe në Kashar, duke marrë më pasleje ndërtimi për godinë 8 kate. Më pas rrobaqepësja “qep” të tjera prona, duke vlerë 9 apartamente e 14 poste parkimi, me vlerë rreth 900 mijë euro.
Nga njëra anë Danieli firmoste tenderat me shumë zero te AKSHI dhe nga ana tjetër nëna e tij, Merita, vijonte të bënte biznes, pasi në emrin e kompanisë apo në pronat që ajo bleu, do të “mbinin” godina shumëkatëshe. Organet ligjzbatuese mund të ndjekin paranë dhe të dalin në konkluzione se, nga e kishin origjinën këto para?! Si mund të deklarosh fitime minimale dhe nga ana tjetër të ngresh pallate apo të blesh troje që vlejnë miliona euro?
Normalisht, dyshimet janë të mëdha se paratë nga tenderat e AKSHI-t janë kanalizuar në këto firmë, teksa mënyra dhe përfituesit mund t’i zbardhë Prokuroria e Posaçme apo ndonjë organ tjetër. Në këtë rast, redaksia e VoxNews po tenton që të hedhë dritë mbi paratë e mundshme publike, të cilat me veprime tejet të dyshimta, kanë arritur të përfundojnë te një grusht njerëzish, të lidhur fort me institucionet shtetërore, siç është në këtë rast AKSHI.
Redaksia jonë ka mësuar se në këto pasuri Merita, Sokoli apo edhe Danieli kanë arritur të marrin leje në institucione shtetërore, me emra firmash të tjera. Por, pasuritë e paluajtshme janë, teksa nëse janë shitur, duhet të ketë “gjurmë”. Hetuesit e BKH-së, ekuivalente me FBI-në Amerikane, mund të gjurmojnë këto pasuri, për të dalë në përfundimin se nga erdhën.
Daniel Shima ka pasur informacione se veprimtaria e tij dhe e nënës rrobaqepëse po hetohej. Në fund të vitit 2022, ai ka “urdhëruar” nënën e tij, Meritën, që t’ia kthejë aksionet Sokol Përllakut, të njëjtit person që ia bleu. Nëse çmimi i blerjes ishte 400 euro, çmimi i shitjes nga Merita te Sokoli shkoi në vetëm 1000 euro.
Duke qenë se, kompania kishte në pronësi pasuri me vlera miliona euro, apo kishte marrë leje ndërtimi, çmimi është bërë formal, për të fshehur shumëçka. Sipas dokumenteve që disponon VoxNews rezulton se ky transaksion apo kalimi i aksioneve është bërë në të njëjtën kohë që Prokuroria e Posaçme kishte nisur një hetim. Por, edhe pas shitjes me letra të kësaj firme, sërish administrator vendoset një “njeri” i besuar i Daniel Shimës./Voxnews

