
Teksa në Tiranë vijojnë të mbahen protestat antiqeveritare që nisën prej projektit turistik në Zvërnec dhe vijuan me të tjera kërkesa politike, Parlamenti Evropian kërkon rishikim sa më shpejt të ligjit për investimet strategjike.
Në mbledhjen e Stabilizim Asociimit Shqipëri BE, Clive Rumbold nga divizioni i zgjerimit të Ballkanit Perëndimor në Komisionin Europian tha se PE inkurajon të gjithë të përfshirët në protestë, të jenë të qetë dhe nga ata tjetër të sigurohet një protestë e paqtë dhe e mbajtur në kushte të sigurta.
“Ata po ushtrojnë të drejtën e të mbledhurit dhe të shprehurit dhe duhet ta bëjnë këtë paqësisht sipas ligjit.
Kjo është me rëndësi për vijimin e Shqipërisë në pasjen e standardeve demokratike e kësisoj në vijimin e rrugës europiane. Ne po i ndjekim këto zhvillime nga afër. Delegacioni ynë ka qenë në terren aktiv prej nisjes së protestës duke organizuar vizita dhe parë situatën”, u shpreh ai.
Clive Rumbold pati edhe një kërkesë konkretë për qeverinë shqiptare.
“Ne kemi mësuar se ka një hetim aktiv të SPAK për sa i përket pronave në Zvërnec. Me lejoni të them se lufta kundra korrupsionit është në zemër të zgjerimit të BE-s dhe puna e deritanishme duhet të vazhdojë në Shqipëri.
Ne shpresojmë të realizohet një studim i plotë mbi impaktin në ambient me standardet më të larta. Shpresojmë që Shqipëria ta mbajë fjalën për rishikim e ligjit të investimeve strategjike deri në fund të vitit. Dialogu mes të gjithë aktorëve është rruga që duhet të ndiqet”, tha ai.

