Policia e Tiranës ka shtuar praninë në rrugë me qëllim mbarëvajtjen e festimeve me rastin e ndërrimit të viteve. Me qëllim menaxhimin e trafikut të automjeteve, efektivët e policisë janë shpërndarë në zonat më të banuara për të parandaluar aksidentet si dhe për të shtuar sigurinë.
Gjithashtu kontrolle po kryhen nëpër biznese të cilat shesin fishekzjarre ose kapsolla, ndërsa është rritur prania e efektivëve në sheshet publike, shëtitoret, pedonalet dhe ambientet e argëtimit.
Masat e ndërmarra:
-shtimin e prezencës së shërbimeve policore me uniformë dhe atyre të Policisë Kriminale, në të gjitha zonat urbane, me fokus të veçantë në zonat me fluks qytetarësh, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë publike;
-vendosjen e pikave fikse të kontrollit në hyrje dhe dalje të qytetit, si dhe shtimin e patrullimeve të lëvizshme, me qëllim parandalimin e veprimtarive të paligjshme dhe rritjen e sigurisë;
-intensifikimin e masave për monitorimin e qarkullimit rrugor, nëpërmjet kontrolleve të shtuara, përdorimit të mjeteve inteligjente dhe patrullimeve në akset kryesore urbane dhe interurbane, me synim parandalimin e aksidenteve rrugore;
-kryerjen e kontrolleve të vazhdueshme ndaj subjekteve dhe individëve që posedojnë/shesin lëndë piroteknike (fishekzjarre dhe/ose kapsolla), për parandalimin e rreziqeve dhe ngjarjeve aksidentale;
-rritjen e prezencës së shërbimeve të Policisë, në sheshe publike, shëtitore, pedonale, objekte kulti, në ambiente argëtimi (bare, restorante, lokale nate) dhe në qendra tregtare, me objektiv garantimin e mbarëvajtjes së festimeve;
-bashkëpunimin dhe shkëmbimin e informacionit në kohë reale, për parandalimin e ngjarjeve kriminale dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim.
Për çdo paligjshmëri që qytetarët mund të hasin, policia ka vendosur në dispozicion numrat pa pagesë 129 dhe 112. Versus.al

