
Një aksident i rëndë ka ndodhur mesditën e sotme në Sarandë në rrugën Borsh-Fterrë ku një automjet ka dalë nga rruga dhe ka shkaktuar një të vdekur dhe dy të plagosur në gjendje të rëndë.
I pajetë ka mbetur polici 47 vjeçar Eduart Maçi, ndërsa dy personat e plagosur janë dërguar në spital për të marrë ndihmë mjekësore.
Njoftimi i policisë:
Sot, rreth orës 12:00, në aksin rrugor Borsh–Fterrë, drejtuesi i një automjeti tip “Toyota” dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e mjetit dhe si pasojë, ka dalë nga rruga duke përfunduar në një kanal anësor.
Në automjet udhëtonin tre shtetas, konkretisht R. X., V. Th., dhe E. M., rreth 47 vjeç (punonjës policie), ky i fundit ka ndërruar jetë në vendngjarje, si pasojë e dëmtimeve të marra. Dy shtetasit e tjerë janë dërguar në spital, në gjendje të rëndë shëndetësore.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit, si dhe përcaktimin e drejtuesit të mjetit në momentin e ngjarjes./Versus.al







