
Në nëntor të vitit 2024, Prokuroria e Posaçme (SPAK), mori nën hetim dosjen e mashtrimit me mikrokreditë në të cilën numëroheshin me mijëra shqiptarë të cilët kishin rënë pre e presioneve dhe mënyrave të ndryshme të zhvatjes nga MCA dhe Final, shoqëri të cilat kishin marrë në dorëzim nga bankat mijëra kredi të këqija.
Megjithatë, teksa vëmendja u përqendrua tek këto shoqëri, fusha u la ‘e hapur’ për shoqërinë ‘Tranzit shpk’ e cila nga një institucion i njohur për mbledhjen e kredive të këqija, është shtrirë së fundmi edhe në fusha të tjera me një zinxhir institucionesh financiare dhe koorporata investimi.
Siç e kemi raportuar edhe më herët, Tranzit zotëron American Bank of Investments (ABI Bank), institucionin financiar NOA, A.I.D.A dhe një sërë kompanish të tjera të lidhura me investime dhe pasuri të paluajtshme. Ndërkohë vetë si kompani zotërohet në masën 80 për qind nga MOSCOPOLE, shoqeri e themeluar ne Delaware, Shtetet e Bashkuara te Amerikës, 100 për qind në pronësi të Andi Balltës dhe me nga 10 për qind të New Century Holdings XI, L.P,shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, e regjistruar në Ishujt Cayman dhe NCH Balkan Fund, LP, gjithashtu shoqëri me përgjegjësi të kufizuar regjistruar në Ishujt Cayman.
Bilancet e fshehura dhe struktura offshore
Versus.al ka raportuar problematikat në faktin sesi një firmë e tillë me një pjesë të pronësisë në disa kompani të tjera që rezultojnë të regjistruara në Ishujt Cayman, ka deklaruar fitim marramendës në vitin 2023 me 26 milionë euro, por ka refuzuar të tregojë bilancin e vitit 2024 duke shkelur kështu edhe ligjin e deklarimeve. Fshehja e bilancit dyshohet se bëhet me të vetmin qëllim fshehjen e skandaleve të mbledhjes së borxheve, për të mos pasur të njëjtin fat si simotrat e saj, tashmë të mbyllura dhe në procese penale dhe civile.
Blerja e ‘NOA’ nga ‘parajsa fiskale’
Në janar të vitit 2025, Abi Bank bleu institucionin financiar ‘’NOA’’ që merrej gjithashtu me dhënien e mikrokredive duke u bërë kështu rrjeti bankar i dytë më i madh në vend. Por ajo çfarë vlen të theksohet është se transaksionet për blerjen e NOA-s u bënë nga Delëare, shtet që njihet si ‘parajsë fiskale’.
Përfshirja e Tranzit në biznesin e ndërtimit dhe frika e skemave për marrjen e pronave
Në korrik të vitit 2025, Abi Bank që zotërohet nga Tranzit shpk krijoi firmën ‘’Bay Vieë Alternative’’ e cila paratë e bankave po i investon në një pronë të stërmadhe në zonën bregdetare në Poro të Vlorës.
Ndërkohë që ngrihen dyshimet për pastrim parash, shqetësim tjetër është edhe ‘enigma’ sesi një pronë e tillë merret nga një kompani që sapo është krijuar. Institucionet duhet të reagojnë përballë shqetësimit të drejtë të shqiptarëve përsa i takon pronave të tyre pas publikimit të skemave të përdorura edhe nga grupet kriminale për përvetësimin e tokave në bregdet. Aq më tepër për faktin se ekziston frika se paratë që u zhvaten shqiptarëve nga kreditë e këqija, përfundojnë në struktura offshore. Versus.al


