Dosja hetimore për zbardhjen e vrasjes së Gentian Qarrit në vitin 2021 në Vlorë, ka nxjerrë në dritë sesi grupi i “të fortit të Vlorës”, Inez Hajrulla bashkëpunonte me efektivë brenda policisë për të dëmtuar grupin rival. Përgjimet e zbardhura në SkyEcc tregojnë se Hajrulla dhe krahu i tij i djathtë, Ervis Matodashaj merrnin vazhdimisht informacione se grupi rival i Fatmir Hysenit që njihet si “Doqe” prej kohësh bënin përgatitje për t’i goditur.
Në mesazhet e tyre flitet për personat e grupit rival, mes të cilëve edhe Gentian Qarri. Në shkurt të vitit 2021 pasi arritën të zbulonin disa prej anëtarëve të grupit, i shpalluri në kërkim Inez Hajrulla u kërkon që “t’u çojnë shtetin”, pra policinë.
Gjurmimi i kundërshtarëve bëhej përmes aparateve GPS që u vendosnin në makina për të kryer lëvizjet e tyre. Çdo informacion që Inez Hajrulla merrte ishte i saktë dhe i detajuar. Sipas SPAK, Hajrulla dhe Matodashaj komunikonin me ekzekutorët e Gentian Qarrit nëpërmjet radios.
Pjesë nga përgjimet në SkyEcc:
Ervis Matodashaj: Po atë e mori ambulanca
Inez Hajrulla: Le ta marri, deri tek shkallët e spitalit do vejë po e ka marrë ambulancë.
Kjo bisedë nënkupton se ata po vëzhgonin zonën edhe pas atentatit dhe se Hajrulla shprehte bindjen se nuk do u mbijetonte plagëve nga 20 plumbat. Biseda tregon sesi plani po u shkonte mirë pasi informacioni për mjetin e autorëve ishte dhënë gabim.
Matodashaj: Po këta po kërkojnë ‘Golf’
Hajrulla: Fola, po ça thua, kanë ngatërruar makinë vk mu tek Milano jan ata!
Matodashaj: Kush ka ngatërruar makinë?
Hajrulla: Shteti, në vend të makinës saktë, kanë thënë ‘Golf’ . Njërzit që kanë dhënë informacion
Matodashaj: Ok, super…
Makina që përdorën autorët për vrasjen e Gentian Qarrit dhe që e dogjën ishte një “Toyota Auris” e vjedhur në Greqi. SPAK identifikoi vetëm Ervis Matodashajn dhe Inez Hajrullën si porositës, financues dhe koordinues të veprimeve më datë 06.02.2021, ku është qëlluar me armë zjarri ndaj shtetasit Gentjan Qarri. Ndërkohë ekzekutorët mbeten ende të paidentifikuar.
Hetimet për grupin kriminal të Hajrullës zbuluan edhe infiltrimin e drejtuesit policor Rezart Kuçi i cili shfaqte jetën e tij luksoze në rrjetet sociale ndërkohë që ishte vënë në shërbim të grupit të rrezikshëm.
Në një prej episodeve të zbardhura në dosje, Kuçi shfaqet duke biseduar me Flodian Plakun, njërin prej të arrestuarve si pjesëmarrës në ekzekutimin e Gentian Bejtjas në Fushë Krujën ë 2024. Plaku pyet Kuçin për prani policie në banesën e tij në Vlorë dhe më pas kupton se kontrollet në banesën e tij bëheshin për cështje të autoriteteve italiane që i kishin dhënë lirinë po atë ditë. Kuçi i thotë se është bërë kontroll me zell nga prokurori shqiptar të cilin edhe e ofendon.
Pjesë nga biseda mes tyre në SkyEcc:
FLODJAN PLAKU: Vlla, tani me thanë që mi ka lënë prokurori sepse e ks mar vesh që më kanë liruar dhe i ka lënë me shërbim ruajtje në arrest 24 orë derisa t’vij konfirmimi po besoj nesër maksimumi pasnesër vin dhe më lën t’lir
REZART KUÇI: S’besoj të ketë noi gjë për tu shqetësuar. Po pse i ke q*re gruan ti atij? Që e paska marrë kaq me vrullë ai. Ok shumë mirë
FLODJAN PLAKU: Po i ka ardh inat pse s’më çoj në Itali e më liroi Italia më para hahaha
REZART KUÇI: Mirë mos luj se si dihet. Se mos sjell noi shërbim tjetër përveç atyre që shef ti. Mbështillu në shpi sa të vijnë letrat
FLODJAN PLAKU: Po po vlla kudo vete se mezi i mbylla në Itali, më mirë duroj ca ditë brenda t’njoh dhe t’shpis se I kemi harruar fytyrën haha
REZART KUÇI: Hahhaahhahahahhaha
Për këtë rast, punonjësi i policisë i ngarkuar me detyrimin ligjor për ruajtje të sekretit hetimor, zbatimin e ligjit, në kundërshtim të hapur me ligjin, ka nxjerrë informacion konfidencial operacional, duke rrezikuar dështimin e operacionit, si dhe ka dëmtuar rëndë interesat e shtetit, rendin juridik dhe besimin e publikut tek organet e rendit.
Në një episdo tjetër, Rezart Kuçi, rezulton se ka shkuar me shërbim për kërkimin e një personi dhe në banesën ku ka shkuar ka gjetur një aparat celular. Gjatë këqyrjes së aparatit celular është evidentuar nga ana e tij një mjet gomone. Ai ia çon foton e Gomones Ervis MAtodashajt dhe ky I fundit I thotë se është e një shokut të tij. Pasi mëson këtë, oficeri e fshin foton nga celulari I sekuestruar, duke dëmtuar provat materiale.
Tjetër episod, ku Rezart Kuçi, kontaktohet nga një përdorues i paidentifikuar nga SPAK në SKY ECC. I kërkohet informacion mbi vendndodhjen e një shtetasi me emrin Bujar A. Sipas kërkuesit, ka një detyrim 40 mijë eurosh për çështje droge dhe se jeton në Ankona. Pas disa orësh, Rezart Kuçi i dërgon të dhënat që iu kërkua nga bashkëbiseduesi shoqëruar me fotografi personale. Për detaje shtesë rreth vendndodhjes dhe profilit të personave që kërkon, oficeri i policisë lë takim në Tiranë, por pala tjetër nuk shkon, por I dërgon mikun e tij të interesuar. Kuçi flet me të edhe se sa para ti kërkojë.
REZART KUÇI: Ça thua s’je këtu ti?
Përdorues i paidentifikuar: Ika mjes jam n’Tiran vlla janë te ‘Davinci’ ata çunat për 5 min aty po ulen. Ika se kisha takim mu desh patjetër të vija janë 600 mij euro borxh këtej nuk po më hyjnë në sy ato me 40 aty 20 hahaha...takoj ti po s’ke punë vlla ke Iliri i gjen
REZART KUÇI: O vlla duhet të ishe këtu sot. Ose e linim për ditë tjetër.
Përdorues i paidentifikuar: O vlla po kisha takim në Tiranë sot për punë Turqis po tako atë qerosin vlla atë shokun tim e njëjta është pa merak fol me të vlla. I thash e kam shok për ty por pa lekë nuk bëhen punët e di vetë ai vlla më tha ndaj fol pa merak me të. O vlla, më thuj sa lek ti them, që mos të jesh siklet ti fare... Versus.al

