AKTUALITET /

U akuzuan për vdekjen e 27-vjeçarit në Kosovë, lirohen 5 policët që e arrestuan

Pas ankesave të mbrojtjes, më 17 korrik Apeli anuloi këtë vendim dhe kërkoi rishqyrtim. Megjithatë, Themelorja sërish vendosi për paraburgimin e tyre më 23 korrik, vendim që u apelua për herë të dytë – derisa Apeli vendosi për lirimin e tyre.

Shkruar nga Versus

U akuzuan për vdekjen e 27-vjeçarit në Kosovë, lirohen 5

Gjykata e Apelit ka vendosur të ndërpresë masën e paraburgimit ndaj pesë zyrtarëve policorë të përfshirë në rastin e vdekjes së 27-vjeçarit Agon Zejnullahu, i cili humbi jetën më 7 korrik në Lipjan, pas arrestimit nga ana e policisë.

Lajmin e ka bërë të ditur avokati Besnik Berisha, përfaqësuesi ligjor i njërës prej palëve të mbrojtjes. Në një postim në Facebook, ai e përshkroi vendimin si një fitore për të drejtën dhe arsyen ligjore:

“Kjo nuk ishte thjesht një betejë për lirimin e pesë zyrtarëve, por një betejë për të drejtën dhe për të mos lejuar që frika nga opinioni publik të zëvendësojë ligjin.”
Zyrtarët policorë fillimisht ishin dërguar në paraburgim me vendim të Gjykatës Themelore në Lipjan më 9 korrik. Pas ankesave të mbrojtjes, më 17 korrik Apeli anuloi këtë vendim dhe kërkoi rishqyrtim. Megjithatë, Themelorja sërish vendosi për paraburgimin e tyre më 23 korrik, vendim që u apelua për herë të dytë – derisa Apeli vendosi për lirimin e tyre.

Agon Zejnullahu ndërroi jetë në vendngjarje në orët e para të mëngjesit të 7 korrikut, menjëherë pas ndërhyrjes së policisë. Sipas Policisë, ai dyshohej se ishte nën ndikimin e alkoolit dhe po sillte rrezik për qytetarët, duke sulmuar automjete dhe kalimtarë.

Megjithatë, familjarët dhe avokati i tyre kanë deklaruar se 27-vjeçari është keqtrajtuar nga policia dhe se forca e përdorur ka qenë e tepruar. Pretendimet e tyre janë mbështetur edhe nga disa organizata të shoqërisë civile, që kanë reaguar pas publikimit të pamjeve të incidentit në rrjetet sociale.

Pas ngjarjes, komandanti i Policisë për rajonin e Lipjanit, Argjend Gashi, ka dhënë dorëheqjen, ndërsa hetimet për këtë rast vazhdojnë. /Versus.al

Tags:

kosove

Poll