
Gjykata e Lezhës ka dhënë masën "detyrim paraqitje" për Landi Ndojën, bashkëshortin e deputetes së PD-së, Elda Hoti, si dhe për shokun e tij, Amarildo Jushi. Arrestimi i tyre u realizua mbrëmjen e së shtunës, pak orë para zgjedhjeve të 11 majit, pasi ata akuzohen për ndërhyrje të paligjshme në procesin zgjedhor.
Sipas raportimeve, Ndoja dhe Jushi bllokuan rrugën një automjeti të drejtuar nga Drejtori i Arsimit, Renuar Kola, duke pretenduar se po kryhej krim zgjedhor. Ata akuzohen për veprat penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, “Vetëgjyqësia” dhe “Kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje”.
Në momentin e arrestimit, në automjetet e Ndojës dhe Jushit, policia gjeti lista me të dhëna personash, të dyshuara si lista zgjedhësish, të cilat u sekuestruan si prova materiale. Nga kontrolli i automjetit të Renuar Kolës, nuk u gjet asnjë send i kundërligjshëm./Versus.al







