
Një nga emrat më të njohur të botës së krimit shqiptar, Gert Gjinarari, është arrestuar këtë të hënë në Belgjikë, pas disa vitesh në kërkim ndërkombëtar.
Sipas informacioneve të policisë, 52-vjeçari u kap duke përdorur dokumente italiane të falsifikuara. Ai rezulton i dënuar me burgim të përjetshëm për një sërë veprash të rënda penale, mes të cilave vrasje me paramendim, trafik narkotikësh dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale.
Gjinarari, i njohur ndryshe me nofkën “Gjenerali”, është dënuar për vrasjen e Naim Zyberi, ngjarje e ndodhur në vitin 1997 në një spital në Milano. Sipas dosjes hetimore, ai dhe bashkëpunëtori i tij, Arben Grori, hynë në dhomën e pacientit duke u prezantuar si të afërm dhe realizuan ekzekutimin me armë zjarri, e cila dyshohet se ishte fshehur brenda një buqete me lule.
Pas ekstradimit në Shqipëri në vitin 2014, Gjinarari u përball me sistemin shqiptar të drejtësisë, ndërsa vendimi i dhënë nga gjykata italiane u la në fuqi nga gjykatat shqiptare.
Në vitin 2019, ai përfitoi lirim me kusht me vendim të Gjykatës së Korçës, një vendim që shkaktoi debat dhe reagime të forta publike. Më pas, Gjykata e Apelit rrëzoi lirimin dhe urdhëroi rikthimin e tij në burg. Megjithatë, Gjinarari nuk u paraqit për ekzekutimin e vendimit dhe u shpall në kërkim ndërkombëtar.
Arrestimi i tij në Belgjikë pritet t’i hapë rrugë procedurave për ekstradimin drejt Shqipërisë, ku do të duhet të vuajë dënimin me burgim të përjetshëm.
Ndërkohë, në media janë publikuar edhe fotografi të fundit të 52-vjeçarit, i cili shfaqet me një pamje të transformuar krahasuar me periudhën kur ishte në kërkim. Autoritetet shqiptare dhe ato belge po vijojnë procedurat për transferimin e tij në vend.
Skeda penale e Gerd Gjinararit
Saga e hasmërisë vijon mes të fortëve të Tiranës me një ngjarje të 2 korrikut të vitit 1997. Naim Zyberi së bashku me Franc Konomin dhe Ymer Maçin shkojnë në shtëpinë e Fatmir Ramës, i njohur si Miri i Xhikes. Ai njihej si një prej të fortëve të kohës.
Thuhet se atë ditë Rama ndodhej në banesë, por nuk doli vetë për të hapur derën por dërgoi një prej njerëzve që ndodhej me të. Personi që doli ishte Artur Grori, biznesmen i njohur që kishte në pronësi një restorant mjaft të frekuentuar në krah të Presidencës.
Zyberi, i kërkoi Grorit të takohej me Fatmir Ramën, por ai i tha se nuk ndodhej në banesë. Naimi Zyberi largohet drejt makinës së tij, por ndërron mendje dhe kthehet sërish ku në derë rishfaqet Artur Grori. Me tone të larta Zyberi i kërkon që të thërras menjëherë Mirin e Xhikes por Grori i përsërit se nuk ndodhej aty. Naim Zyberi nxjerr armën dhe e qëllon në zemër duke e lënë të vdekur te pragu i shtëpisë.
Pas vrasjes së Grorit, Naim Zyberi largohet në Itali.
Por, kundërshtarët bien në gjurmët e mikut të tij Ymer Maçi që ishte I pranishëm në vrasjen e Artur Grorit. Po në vitin 1997, në zonën e njohur si “Selvia”, ekzekutohet pranë një lokali 29-vjeçari Ymer Maçi. Autorët e ngjarjes nuk u zbuluan kurrë edhe pse dyshimet binin mbi Arben Grorin dhe dy miq të tij tropojanë.
Ai kishte nisur gjuetinë e hakmarrjes për të vëllanë dhe u vu në ndjekje të Naim Zyberit, që e konsideronte armikun kryesor. Grori lidh aleancë me Gerd Gjinararin. Ky i fundit, nuk hezitoi pasi në të shkuarën ishte marrë peng dhe ishte dhunuar nga Naim Zyberi.
Në atë kohë Gerd Gjinarari, u shpërngul nga Gjermania në Itali për relaizimin e planit. Ata hartuan planin për ekzekutimin e Naim Zyberit, pasi e gjurmuan për disa ditë në qytetin e Milanos.
Grori e pikasi në një lokal ku hapi zjarr duke e plagosur rëndë. Zyberi u dërgua në spitalin San Paolo të Milanos për të marrë ndihmën mjeksore. Ai ruhej te dera nga dy oficerë policie që qëndronin 24 orë.
Mjekët pas disa ditësh e cilësuan gjendjen e Naim Zyberit si të qëndrueshme dhe jashtë rrezikut për jetën. Por Arben Grori dhe Gerd Gjinarari nuk hoqën dorë. Paraditen e 6 gushtit të 1997 ata i japin fund të fortit Naim Zyberi në shtratin e spitalit. Gjinarari dhe Grori futen në spital me një tufë me lule ku kishin fshehur një pistoletë me silenciator.
Ata prezantohen si të afërm të pacientit Naim Zyberi dhe pasi përshëndeten me dy policët që ruanin të plagosurin, futen në dhomën e tij. Pa humbur kohë, qëllojnë disa herë duke e lënë të vdekur në vend. Policët nuk dëgjuan asnjë krismë. Autorët e krimit dalin qetësisht nga dhoma dhe largohen.
Krimi do të zbulohej pak minuta më vonë nga sinjali i emergjencës së aparaturave. Infermierja hyn në dhomë për të parë pacientin dhe e gjen Naim Zyberin e vdekur dhe të mbuluar nga gjaku.

