
Vlorë- Prokuroria ka lënë të lirë drejtorin dhe inxhinierin e kompanisë ‘Delvina Gas’ të cilët u arrestuan ditën e djeshme pasi u gjetën në një impiant gazi të ndërtuar pa leje nga kompania.
Mësohet se prokurorja Esmeralda Basho ka marrë vendimin për lirimin e Elton Malkajt dhe Luan Metajt. Për këtë rast reaguan edhe avokatët e “Delvina Gas Company”. Prokurorja e vlerësoi të paligjshëm arrestimin e drejtorit dhe inxhinierit pasi vërtetoi se impianti nuk ishte TEC për prodhim energjie, por impiant pastrimi gazi që del nga puset.
“Ky impiant pastrimi ka 3 vjet që ka përfunduar ndërtimin dhe dy inxhinierët ishin thjesht mirëmbajtës të impiantit të pastrimit, i përfunduar tashmë së ndërtuari kohë më parë. Shoqëria “Delvina Gas Company”, degë e shoqërisë së huaj ka zbatuar çdo detyrim dhe rregullore duke ju përmbajtur hap pas hapi kuadrit ligjor në fuqi në sektorin hidrokarbur”, thuhet në njoftim.
Ndërkohë pronari Sokol Meqemeja dhe administratori Jugelard Ibrahimi janë ende të shpallur në kërkim për ndërtimin prej 2000 m2. Sipas njoftimit të policisë të bërë ditën e djeshme, impianti ishte ndërtuar pa leje në tokë publike.
Sokol Meqemeja rezulton të jetë një emër i njohur për drejtësinë pasi është përmendur më herët edhe në dosjen e Arben Ahmetajt të cilit dyshohet se i ka dhënë 140 mijë euro me anë të një skeme fiktive për shitjen e apartamenteve. Versus.al






