
Rexhep Ademi, i njohur për angazhimin e tij publik në kërkim të drejtësisë pas dhunës dhe vrasjeve ndaj anëtarëve të familjes së tij, iu bashkua protestave të banorëve të Rrjollit kundër marrjes së tokave për ndërtimin e resortit të biznesmenit Bashkim Ulaj.
Banorët akuzojnë investitorin për “falsifikim për 1.500 dynym tokë”, ndërsa Ademi përmes një deklarate shprehu solidaritet me ata:
“Ju bashkova protestës së banorëve të Rrjollit, se po i grabisin pronat. Ashtu si mua që më dhunuan gati për të vdekur. Këta banorë kanë nevojë për mbështetje, është koha të ngrihemi dhe ti përzëmë këta 5 hajdutë që po na marrin shpirtin.”
Kujtojmë se Ademi u dhunua para disa kohësh nga dy persona në Golem, ndërsa më parë ka deklaruar se familja e tij ka qenë objekt sulmesh dhe presionesh për vite me radhë, duke përfshirë vrasjen e nënës dhe të dajës, si dhe tentativa për vrasje ndaj të afërmve të tjerë.
Ai ka kërkuar hetim të plotë për ngjarje të rënda, përfshirë vrasjen e Selman Ismailit dhe tentativën për vrasje ndaj Sheko Qerim Ademit, duke e lidhur këtë me grabitjen e pronave të familjes nga individë të caktuar.
Sipas tij, disa raste, si ai i familjes Qerim Rifat Ismaili, janë mbyllur me versione të dyshimta, përfshirë pretendime për vetëvrasje.
Protestat në Rrjoll vijojnë, ndërsa banorët kërkojnë drejtësi dhe mbrojtje për pronat e tyre./Versus.al

