Prokuroria e Posaçme mori dje zyrtarisht të pandehur Erion Veliajn, bashkëshorten e tij Ajola Xoxën dhe biznesmenin Elman Abule.
Mësohet se ditën e sotme do t’i komunikohen akuzat e korrupsionit, pastrimit të parave dhe e fshehjes së pasurisë, ndërsa muaj më parë u bë me dije se kryebashkiakut të Tiranës i ishte shtuar edhe një tjetër dosje me akuzë “futja e sendeve të paligjshme në qeli” për të cilën po kryhen ende hetime.
Nuk dihet nëse kreu i bashkisë Tiranë do të lërë qelinë e paraburgimit për të qenë i pranishëm sot vetë në godinën e SPAK për t’u përballur me prokurorët e posaçëm Altin Dumanin dhe Ols Dadon. Por nga ana tjetër mbetet ende e paqartë nëse SPAK do ta përcjellë dosjen e Veliajt për në Gjykatën e Posaçme apo do të shtyjë afatet e hetimeve.
Që prej 10 shkurtit të këtij viti, kryebashkiaku Erion Veliaj mbahet në qelinë e paraburgimit pasi SPAK argumenton se lënia e tij në një masë tjetër sigurie mund të përbëjë rrezik për prishjen e provave të hetimeve që po kryhen ndaj tij, Ajola Xoxës dhe 6 biznesmenëve të tjerë që kanë përfituar tendera nga bashkia e Tiranës.
Dyshimet e SPAK janë se Veliaj në bashkëpunim me bashkëshorten e tij, kishte ngritur një skemë të përvetësimit të fondeve publike të bashkisë Tiranë nëpërmjet së cilës kompanitë që fitonin tendera nga bashkia, kryenin pagesa për qendrën jofitimprurëse “Harabel” të Ajola Xoxës. GJKKO ka sekuestruar edhe disa prona në Qerret dhe Kodrën e Diellit që dyshohet se janë të Veliajt. Versus.al







