
Disa ditë pas arrestimit të shefit të komisariatit të Sarandës, Gëzim Bashllari dhe 3 efektivëve të tjerë nën dyshimin se kishin favorizuar ndërtimet pa leje, IKMT ka vijuar me shembjen e beach bar “CopaCabana Beach” nën pronësi të Arjola Dhramit Bajo. Kjo e fundit është shpallur në kërkim nga policia për ndërtimin pa leje.
Ndërkohë që IKMT vijon me shembjen, avokati i pronarëve thotë se objekti është ndërrtuar me leje të KKTU-së.
“Vendim i paligjshëm. IKMT ka pretenduar se ndërtimi është pa leje. Sjell në vëmendje që bari ka qenë ekzistues, me dokumente pronësi në emër të Arjola Dhrami Bajo. Stacioni është me leje, me vendim të KKTU-së dhe në mënyrë abuzive po kërkohet të prishet një biznes i ndershëm”, thotë avokati Rigels Dervishi.
Objekti ndodhet në lagjen nr.1 të Sarandës përgjatë vijës bregdetare ku ndodhen gjithashtu hotelet dhe resortet më të njohura të qytetit.
Hetimet e deritanishme kanë ngritur dyshimet se kupola drejtuese e policisë së Sarandës ka marrë ryshfet nga një grup kriminal me bazë në Kamëz për të lejuar ndërtimin pa leje. Versus.al


