Tiranë- Në Apelin e Gjykatës së Posaçme ka nisur sot seanca gjyqësore në ngarkim të Laert Haxhiut, të dënuarit me burgim të përjetshëm për masakrën e Lushnjës të ndodhur në 2017-ën. Haxhiu e ka kundërshtuar këtë dënim duke pretenduar pafajësi.
I pranshëm në seancë është kreu i SPAK, Altin Dumani i cili ndjek çështjen ndaj Laert Haxhiut. Po ashtu edhe babai i këtij të fundit ndodhet në seancë gjyqësore.
Në seancën e zhvilluar herën e kaluar e cila u shty për t’i dhënë kohë palës mbrojtëse në shqyrtimin e fakteve, pati përplasje mes Haxhiut dhe prokurores së SPAK, Doloreza Musabelli për të cilën i dënuari tha se nuk duhej të ishte pjesë e organit të akuzës.
Si ndodhi ngjarja që njihet si masakra e Lushnjes?
Më 11 shtator 2017, në një lokal në qytetin e Lushnjes, Laert Haxhiu dhe Orges Bilbili hynë në lokalin ku ndodhej Zamir Latifi, Jurgen Hoxha, Xhulio Shkurti, për të ekzekutuar Shkurtin, pas dështimit të atentatit të vitit 2015. Shkurti ishte objektivi i kësaj masakre, i cili është nipi i Aldo Bares. Me automatik në krah ata hynë duke qëlluar dhe lanë të vdekur në vend dy të rinjtë, ndërsa Shkurti në këtë moment, ia doli që të shpëtonte pasi nuk ndodhej aty. Nga ngjarja mbetën të vdekur Zamir Latifi dhe Jurgen Hoxha, ndërsa u plagosën Marius Xhepexhiu, pronar i lokalit ku ndodheshin dy viktimat si dhe një kalimtar. Versus.al








