Mbrëmjen e djeshme miqtë e avokatit Altin Goxhaj ngritën alarmin se ai ishte rrëmbyer nga një grup në emër të policisë. Mirëpo vetë policia reagoi për të sqaruar rastin pas publikimit të videos ku shihej teksa avokati debatonte me disa efektivë të cilët i kritikon se nuk kanë numrin e identifikimit në uniformë.
Goxhaj dëgjohet teksa ankohet se ishte ndaluar pa të drejtë nga policia ndërkohë që priste në rrugën e Kavajës me një taksi. Ndërsa policia në njoftimin e bërë thotë se incidenti ndodhi rreth orës 20:00 kur avokati kishte nisur t’i ofendonte nga mjeti taksi ku ishte pasagjer.
Njoftimi i plotë:
“Më datë 16.04.2026, rreth orës 20:00, Patrulla e Përgjithshme e Komisariatit të Policisë Nr. 2, duke patrulluar në rrugën “Kavajës”, ka ndaluar për të marrë masa ndaj drejtuesve të automjeteve të parkuara në korsinë e dedikuar.
Në kohën kur punonjësit e Policisë ishin duke kryer detyrën, një automjet taksi është parkuar mbrapa makinës së Policisë.
Punonjësit e Policisë i janë afruar dhe i kanë kërkuar drejtuesit të automjetit të vijojë lëvizjen, por nga mjeti taksi, që drejtohej nga shtetasi A. B., 26 vjeç, doli shtetasi A. G., 56 vjeç (avokat), i cili ka filluar të ofendojë dhe, së bashku me drejtuesin e automjetit, nuk i janë bindur urdhrit të punonjësve të Policisë që ishin duke kryer detyrën, për të vijuar lëvizjen.
Në këto kushte, punonjësit e Policisë kanë shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 shtetasin A. G., i cili edhe gjatë shoqërimit ka vijuar të kundërshtojë punonjësit e Policisë.
Në përfundim të veprimeve të para procedurale, shtetasi A. G., u procedua penalisht për veprën penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë së rendit publik”. Versus.al

