Ditën e sotme drejtori i përgjithshëm i policisë së Shtetit, i ka akorduar efektivit 26 vjeçar Klajdi Mustajt certifikatën për “Shërbime të Dalluara”.
Shkak për këtë është bërë gjesti heroik i policit gjatë një aksidenti të ndodhur pasditen e djeshme në aksin Levan-Fier ku pavarësisht rrezikut që makina të shpërthente në flakë, Klajdi Mustaj ndërhyri duke mbajtur në krahë 4 të aksidentuarit.
Pa mjetet e nevojshme, vetëm me një fikse zjarri të vogël, 26-vjeçari i cili prej 18 muajsh qëndron në radhët e uniformave blu, nxori nga automjeti dhe i largoi në krahë një për një të gjithë të aksidentuarit.
I riu i cili u ishte bashkuar forcave të policisë vetëm 18 muaj më parë foli për mediat duke treguar se reagimi i tij kishte qenë krejt i natyrshëm dhe se fillimisht nxorri nga makina fëmijën i cili aktualisht ndodhet në gjendje të rëndë në spitalin e Traumës.
“Sapo kisha përfunduar shërbimin dhe po kthehesha për në shtëpi kur papritur pashë makinën që po rrotullisej disa herë derisa u përplas në pemë. Pashë makinën të shpërthente në flakë dhe menjëherë, aty kam pasur një fikse zjarri në makinën time dhe kam shkuar për të fikur flakët. Kam nxjerrë fëmijën të parin nga makina, aty u riaktivizua flaka në mjet.
Pastaj kam marrë personat e tjerë dhe i kam nxjerrë poshtë. Jam i emocionuar që kur pashë fëmijën në atë gjendje. Kam njoftuar menjëherë sallën e komandimit të Fierit dhe ka ardhur menjëherë zjarrfikësja dhe autoambulanca në vendngjarje.
Ne jemi të trajnuar në punën që bëjmë dhe kemi qetësinë e duhur edhe pse ndonjëherë të rrëmben situata, por kjo mendoj që është më shumë një dhunti. Gjendja ime është shumë mirë nuk kam probleme, përveç disa djegieve të lehta por i lumtur që shpëtova të lënduarit”, tha polici 26-vjeçar. Versus.al







