AKTUALITET /

"Ulsiun e bëra unë deputet", polici i burgjeve zbulon telefonatat e Veliajt: Ja çfarë plani kishte për të shpëtuar

Plani i vetëm i Veliajt për të shpëtuar ishte të bëhej deputet si Tërmet Peçi e Arben Malaj.

Shkruar nga Versus

"Ulsiun e bëra unë deputet", polici i burgjeve zbulon

Kryebashkiaku Erion Veliaj akuzohet se ka komunikuar tre herë me telefon me të afërmit e tij në datat 11, 12 dhe 13 mars kur janë mbajtur seanca gjyqësore ndaj tij. Sipas dosjes që Versus.al disponon në dëshminë e efektivit të burgjeve Fatjon Baçi thuhet se përveç vëllait Arbër Veliaj dhe gruas së tij Ajola Xoxa, Veliaj komunikoi edhe me një person të tretë, por numrin e tij nuk e kishte parë.

“Kur më ktheu telefonin, nuk më tha asgjë. As faleminderit. Kam dorëzuar Erionin në IEVP dhe jam larguar për në banesë. Gjatë rrugës, verifikova numrat, që ishin po të njëjtët që kishte biseduar një ditë më para. Pra dy numrat, vëllai dhe bashkëshortja. Numrin tjetër që përmenda më sipër që kishte "21" nuk e gjeta. Kam fshirë thirrjet dhe kam vijuar programin tim ditor”- u shpreh Baçi.

Ndërsa tek plani i vetëm për “të shpëtuar” sipas Veliajt ishte që njëri prej të rinjve që kandidonin për deputetë “të sakrifikohej” duke u tërhequr nga gara dhe në vend të tyre të futej ai me qëllim që t’i shpëtonte SPAK-ut. Si shembuj ai përmendi kryebashkiakët Agron Malaj e Tërmet Peçi të cilët tashmë janë zgjedhur deputetë.

“I ka thënë bashkëshortes ose vëllait se: "Të sakrifikonin një nga studentët për deputet, sikur të ishin sëmurë apo nuk ndiheshin mirë nga gjendja shëndetësore, dhe që të futej Erioni si kandidat për deputet, që ti shpëtonte burgut". Këtë gjë e thoshte se është Plani B, plani i vetëm për të shpëtuar. Ai mbaj mend se më ka thënë se edhe disa kryebashkiakë të tjerë si Tërmet Peci аро një me mbiemër Malaj, po bëhen deputetë që t'i shpëtojnë SPAKUT”.

Më tej efektivi ka zbuluar edhe rastin kur Veliaj përmendi Ulsi Manjën duke thënë se ai e kishte bërë deptutet dhe se mendonte se e kishte mik, por nuk e dinte se mbante anën e SPAK-ut.

“Po kështu, Erioni gjatë bisedës me gruan ose vëllain, thoshte se Ulsiun e ka nxjerrë ai deputet nga Paskuqani ose Lapraka, por nuk e dinte që mbante anën e Spak-ut, i thoshte Erioni se Ulsiun e dinte që e kishte mik. Pasi mbaroi bisedat telefonike, Erioni më kërkoi që të lexonte lajmet. Unë e lashë ta përdorte telefonin tim”- thuhet më tej në dëshminë që Versus.al zotëron. Versus.al

Poll