Një ngjarje tronditëse në qytetin e Korçës ka sjellë në fokus problemet e thella familjare dhe sociale që mund të çojnë deri te tragjedia. Një vajzë 13-vjeçare u hodh të shtunen nga kati i tretë i një pallati, por fatmirësisht pa rrezik për jetën. Pas ngjarjes, nëna e saj, Sonila Dhëmbi, është proceduar penalisht në gjendje të lirë për akuzën e “Fyerjes dhe dëmtimeve të tjera me dashje”, pasi hetimet kanë nxjerrë në dritë se ajo i ka shkaktuar vajzës probleme psikologjike.
13-vjeçarja është dërguar në një qendër në kryeqytet për mjekim dhe përkujdesje psikologjike, ndërsa hetimet janë në vijim.
Pas ngjarjes, nëna e vajzës ka denoncuar se fëmija i saj u hodh nga kati i tretë për shkak të bullizimit të vazhdueshëm nga shoqet në lagje.
“Burrin e kam në burg për dhunë në familje, kam katër fëmijë. Erdha në shtëpi nga Barmashi i Kolonjës, në lagjen 14 në Korçë. Vajzën e madhe ma kanë rrahur, edhe vajzën e dytë. Po shtohen bullizimet. Para dy ditësh e ka goditur çupën një vajzë në kurriz. I thashë asaj që ma goditi mos të më bezdiste vajzat. Sot prapë i vajti çupës time ta godiste. Më goditi dhe mua në stomak dhe mua më morën në polici. Kur isha unë në polici, çupa u hodh nga kati i tretë. U hodh se e tallnin fëmijët në lagje, i thoshin që ‘mamin ta morën në polici, jeni fshatarë’. Merrni masa se nuk më lenë rehat”, tregoi nëna.
Doktoresha e shëndetit mendor, Nikolina Bode, që ndjek rastin, tha se vajza nuk ka frikë nga humbja e jetës dhe e përdor këtë veprim si një kërcënim për të tërhequr vëmendje.
“Është hera e parë që kemi një rast ku vendosmëria për të kryer një tentativë vetëvrasjeje është e tillë, pa shenja pendese apo frike. Problemi thelbësor është modeli i sjelljes që shfaqet brenda familjes dhe ndikimi që ka te fëmijët e tjerë, të cilët e mbështesin veprimin e motrës së tyre. Kjo është shumë shqetësuese,” tha doktoresha Bode.
Ajo shtoi gjithashtu se konflikti në lagje, i cili duket i vogël, është përkeqësuar për shkak të ndërhyrjes së të rriturve dhe reagimeve të papërshtatshme.
“Vajza thotë se e do lagjen dhe lagjja e do atë, por për konflikte të vogla hyjnë në lojë të mëdhenjtë dhe njoftimi i policisë nga nëna e saj e ka shtyrë atë drejt këtij veprimi. Është një veprim banal i pazgjidhur si duhet nga të rriturit”, përfundoi doktoresha.