AKTUALITET /

Vëllai i Suel Çelës ekstradohet nga Belgjika, policia del me njoftim: Akuzohet për vrasje dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale

Mario Çela është ekstraduar nga Belgjika drejt Shqipërisë në kuadër të operacionit “The Wanted”, pasi akuzohet nga SPAK për vepra të rënda penale, përfshirë drejtim organizate kriminale, vrasje dhe trafik ndërkombëtar droge.

Shkruar nga Versus
Vëllai i Suel Çelës ekstradohet nga Belgjika, policia del me
Suel Çela dhe Mario Çela

Mario Çela, vëllai i Suel Çela, është ekstraduar mbrëmjen e djeshme nga Belgjika drejt Shqipërisë, në kuadër të operacionit policor të koduar “The Wanted”.

Sipas njoftimit zyrtar të Policia e Shtetit, ekstradimi u realizua falë bashkëpunimit mes Interpol Tirana dhe autoriteteve belge. Çela ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë i kishte caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” më 22 nëntor 2024.

Ai akuzohet për një sërë veprash të rënda penale, përfshirë “vrasje me paramendim”, “organizatë kriminale”, “prodhim dhe mbajtje pa leje armësh dhe municionesh” si dhe “korrupsion aktiv në sektorin privat”. Sipas SPAK, 37-vjeçari nga Elbasan dyshohet se ka pasur rol drejtues në koordinimin e aktiviteteve kriminale të grupit, përfshirë vrasje, trafik ndërkombëtar droge, skema korrupsioni dhe pastrim parash.

Hetimet kanë dokumentuar gjithashtu tentativa për trafikim të sasive të mëdha kokaine nga Amerika Latine drejt Europës. Konkretisht, sipas prokurorisë, në dhjetor 2020 është tentuar dërgimi i rreth 930 kg kokainë nga Ekuadori, ndërsa në janar 2021 një tjetër tentativë për 466 kg drejt Holanda.

Operacioni “The Wanted” vijon, me qëllim lokalizimin dhe sjelljen para drejtësisë të personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Njoftimi i policisë

Policia e Shtetit/Vijon operacioni i koduar “The Wanted”, për lokalizimin dhe nxjerrjen përpara drejtësisë, të shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Si rezultat i bashkëpunimit ndërmjet specialistëve të Interpol Tiranës dhe homologëve të tyre në Belgjikë, gjatë fazës së radhës të operacionit ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, u finalizua procedura për ekstradimin nga Belgjika, në Shqipëri, të shtetasit:

M. Ç., 37 vjeç, lindur në Elbasan.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, më datë 22.11.2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat  penale “Vrasja me paramendim”, ”Organizata kriminale”, ”Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe ”Korrupsioni aktiv ne sektorin privat".

Sipas SPAK, Mario Çela është përgjegjës për menaxhimin dhe koordinimin e aktiviteteve kriminale, përfshirë vrasjet, trafikimin ndërkombëtar të drogës, kryerjen e veprimeve korruptive dhe organizimin e skemave të pastrimit të parave.

Nga hetimet, SPAK ka dokumentuar se organizata e Suel Çelës kanë tentuar të trafikojë sasi të mëdha kokainë nga Amerikan Latine drejt Evropës.

SPAK thotë ka patur tentativa për trafikimin e afërsisht 930 kg të lëndës narkotike, lloji kokainë nga Ekuadori në Europë, në dhjetor 2020. Po ashtu, është tentuar trafikimin e 466 kilogramë të lëndës narkotike, lloji kokainë nga Ekuadori në Holandë, në janar 2021./Versus.al

Poll