AKTUALITET /

Versus.al zbardh DOSJEN ‘URA’/ Nga 3 kg heroinë e pastër në 13 kg për treg, skemat e mafies shqiptare në jug të Italisë! Droga kalonte përmes invalidëve

Një tjetër rrëfim që i penduari i drejtësisë italiane, Domenico Milella ka zbërthyer me detaje rrjetin e errët të heroinës shqiptare që kishte rrënjosur tentakulat e saj në jug të Italisë.

Shkruar nga Versus
Versus.al zbardh DOSJEN ‘URA’/ Nga 3 kg heroinë e pastër
Foto montazh: Domenico Milella

Versus.al ka zbardhur një pjesë të Dosjes italiane “Ura” që çoi në 52 urdhër arreste në Shqipëri dhe Itali.

Lajmi u bë i ditur sot nga SPAK dhe nga homologët italianë në një konferencë për shtyp me gazetarët. Në dosje jepet një dëshmi e të penduarit të drejtësisë, Domenico Milella i cili ka rrëfyer detaje sesi funksionin bandat shqiptaro-italiane.

Rrëfimi i tij ka zbërthyer me detaje rrjetin e errët të heroinës shqiptare që kishte rrënjosur tentakulat e saj në jug të Italisë. Në qendër të skemës, një strukturë kriminale e mirorganizuar me baza në Shqipëri dhe lidhje direkte në Brindisi, Leçe dhe Bari, e aftë të furnizonte vazhdimisht tregun italian me heroinë të pastër, të njohur në gjuhën e trafikantëve si "Banania".

Sipas dëshmitarit bashkëpunëtor MILELLA, vetë shtetas shqiptarë ishin garantët e kësaj linje furnizimi, duke u shndërruar jo vetëm në transportues, por në një hallkë kyçe të përpunimit dhe shpërndarjes së drogës për llogari të bosëve si Gianni Di Cosimo dhe organizatave mafioze që operojnë në provincat e Brindisit dhe Leçes. Shqiptarët nuk ishin më thjesht “krah pune” për mafian italiane – ata ishin partnerë në krim, sipas dosjes.

MILELLA ka zbuluar çdo gjë edhe lokacionet ku droga fshihej, përfshirë një shpellë të maskuar në Mola di Bari, që shërbente si magazinë e heroinës. Por më e frikshme është skema e përpunimit të lëndës narkotike: nga çdo 3 kilogramë heroinë të pastër, nxirreshin deri në 12-13 kilogramë për treg. Përpunimi ndodhte në mënyrë rutinë, duke rritur fitimin dhe mbushur rrugicat e qyteteve italiane me helm.

Por më tronditëse janë metodat e transportit: persona të sëmurë në karroca invalidësh, që fshihnin drogën nën karrocë, duke kaluar pa dyshim nën radarët e kontrollit kufitar. Një tjetër formë e shndërrimit të njerëzve në vegla të trafikimit – pa moral dhe pa limite.

Hetimet çuan në dy emra konkretë: Erigels PRESI, Massimiliano FIORE, e shtetas shqiptarë që punonin në një kompani termoidraulike, por që sipas hetuesve kishin një “punë të dytë” shumë më të errët – shpërndarës të heroinës në jug të Italisë.

Një tjetër figurë që del në skenë nga deklaratat e të penduarit të drejtësisë italiane është një furnitori shqiptar me dy emra Aldir Nela, alias Dorian Mela, i njohur me nofken 'Niko' ose 'Nikola' , emër i njohur për autoritetet italiane pasi ishte i arrestuar më parë për trafik ndërkombëtar droge dhe armësh.

Ky nuk është një rast i izoluar, shkruhet në dosjen e antimafias italiane. Ky është profili i një mafie shqiptare në evolucion. Nga transportues të thjeshtë, shqiptarët janë kthyer në aktorë strategjikë të tregut ndërkombëtar të heroinës. Kanë ndërtuar rrjete të sigurta, kanë rekrutuar njerëz të pambrojtur, kanë maskuar drogën në format më të pabesueshme – gjithçka për fitim, gjithçka për pushtet kriminal.

Mafia shqiptare nuk është më thjesht një “aleat” i Ndraghetës apo Sacra Coronës. Në jug të Italisë, ajo po krijon tokën e saj, rrjetin e saj, dhe tregun e saj./ Versus.al

Poll