
Vlorë- Një rast i rrezikshëm që mund të përshkallëzonte edhe më shumë është shënuar mbrëmjen e djeshme në vendin e quajtur “Kapelja” ku një 22 vjeçar xhironte automjetin tip “BMW” në rrugën kryesore të qytetit.
Pamjet tregojnë sesi i riu me papërgjegjshmëri të plotë bënte “drift” me makinë në mes të kryqëzimit të rrugëve duke rrezikuar që të shkaktonte edhe aksident. Pas ndërhyrjes së policisë, 22 vjeçari me inicialet D.Xh është gjobitur me 5200 lekë, gjithashtu iu hoq patenta dhe iu sekuestrua automjeti.
Njoftimi i policisë:
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë referuan materiale në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, në ngarkim të shtetasit D. Xh., 22 vjeç, banues në Vlorë, për veprat penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë” dhe “Prishja e qetësisë publike”.
Nga veprimet hetimore rezultoi se ky shtetas, në vendin e quajtur “Kapelja”, ka xhiruar gomat e automjetit tip “BMË”, në mënyrë të përsëritur, duke u shndërruar në një rrezik për qytetarët dhe automjetet e tjera që qarkullonin në atë zonë, si dhe nuk i është bindur urdhrit të patrullës së përgjithshme për të ndaluar.
Njëkohësisht, shërbimet e Qarkullimit Rrugor Vlorë i vendosën këtij shtetasi masë administrative në vlerën 5200 lekë, për shkelje të neneve 139/8, 153/5, 139/3, 190/1-6 dhe 120/1-6 të Kodit Rrugor, si dhe masën plotësuese të tërheqjes së lejes së drejtimit.
Në përfundim të të gjitha veprimeve procedurale dhe administrative, u bë edhe sekuestrimi i automjetit. Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale. Versus.al
 
	                        
	                        
	                        
	                        
	                        
	                        
	                        
	                        
	                       
 
	                        
	                        
	                        
	                       