Vlorë- IKMT ka shembur me shpërthim të kontrolluar një objekt tre katësh të ndërtuar pa leje në aksin që lidh qytetin me Orikumin.
Mësohet se për të shembur ndërtesën, u vendosën 32 kg lëndë shpërthyese. Videon e publikoi edhe kryeministri Edi Rama duke e shoqëruar me një reagim ku shprehej se kapitulli i shembjes së ndërtimeve pa leje do të shkruhej me çdo kush.
“MIRËMËNGJES dhe me këto pamje nga përballja me paligjshmërinë që lëndon e shëmton hapësirat ku bashkëjetojmë si bij e bija të këtij vendi, e ku do ta shkruajmë me se s’bën kapitullin e fundit të betejës me ndërtimet pa leje apo në shkelje të lejeve, ju uroj një javë sa më të mbarë”- shkroi kreu i qeverisë.
Objekti ishte ndërtuar pa leje dhe vetëm pas një denoncimi publik nga kryeministri gjatë një mbledhje me kryebashkiakët, u bë e mundur ndërhyrja e Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit.
Shfaqja e ndërtimeve pa leje menjëherë pas zgjedhjeve të 11 majit, ka sjellë paqartësi edhe tek qytetarët, mes të cilëve jo pak persona ngrenë pyetjen se ku ishin këto institucione gjatë kohës që ndërtimet bëheshin në mes të qyteteve. Versus.al







