
Tiranë- Mbrëmjen e djeshme rreth orës 20:00 u shmang një tragjedi në Rinas ku një prej pasagjerëve në avionin e “Air Albania” shkaktoi panik duke hapur një prej dyerve.
Gazetari Dashamir Biçaku në videon dhe informacionin e publikuar në faqen e tij, raporton se bëhet fjalë për një shtetas Indian i cili tërhoqi dorezën e sigurisë duke refuzuar të deportohej nga vendi ynë drejt Indisë. Reagimi i shpejtë i stjuardezëve shmangu një tragjedi të mundshme, ndërsa fluturimi u shty për më vonë.
Siç shihet edhe në video, indiani është shtrirë në dyshemenë e avionit pranë derës që ndodhet tek kabina duke alarmuar pasagjerët e tjerë të cilët fillimisht kanë menduar se vuante nga probleme të shëndetit mendor. Por gjatë videos ai dëgjohet teksa thotë se nuk dëshiron të deportohet.
Në foto shihet se jastëku i ajrit është i hapur. Nëse një veprim i tillë do kryhej në fluturim, pasojat do kishin qenë edhe më të rënda. Pavarësisht se ndaj shtetasit Indian ishte marrë vendimi për deportim, pranë tij nuk kishte asnjë anëtar të personelit të sigurisë që mund të shmangte situata të tilla. Versus.al








