AKTUALITET /

Virusi “fshirës” goditi Bashkinë e Tiranës, AKSK zbulon arsyen e sulmit

Në njoftimin zyrtar, AKSK bën me dije se dokumenti teknik i hartuar përmban indikatorët e komprometimit, përshkrimin e mënyrës së funksionimit të këtij skedari shkatërrues, si dhe rekomandime konkrete për rritjen e nivelit të sigurisë në sistemet IT.

Shkruar nga Versus

 

Virusi “fshirës” goditi Bashkinë e Tiranës, AKSK

Pas një sulmi të rëndë kibernetik që ka pasur në shënjestër Bashkinë e Tiranës, Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) ka bërë të ditur se ka analizuar një skedar keqdashës të llojit “wiper”, i identifikuar si “Display_10.exe”. Ky virus përfaqëson një rrezik të lartë, pasi përdor metoda të sofistikuara për të fshirë të dhëna nga sistemet kompjuterike dhe për të dëmtuar rëndë sistemin operativ Windows, duke sjellë ndërprerjen totale të funksionimit të pajisjeve të infektuara.

Në njoftimin zyrtar, AKSK bën me dije se dokumenti teknik i hartuar përmban indikatorët e komprometimit, përshkrimin e mënyrës së funksionimit të këtij skedari shkatërrues, si dhe rekomandime konkrete për rritjen e nivelit të sigurisë në sistemet IT. Sipas autoritetit, menjëherë pas marrjes së sinjalizimit për incidentin, është vepruar në përputhje me procedurat standarde të reagimit ndaj incidenteve kibernetike. Në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, është ngritur një grup i posaçëm pune i përbërë nga ekspertë të fushës, të cilët kanë ndërhyrë në terren në koordinim të plotë me stafin teknik të bashkisë.

Grupi i ekspertëve ka kryer analizën fillestare të komprometimit të infrastrukturës, ka identifikuar pikat e hyrjes së sulmit, ka izoluar sistemet e prekura për të ndalur përhapjen e mëtejshme dhe ka ndërmarrë hapat e parë për rikthimin e funksionimit të shërbimeve. Në të njëjtën kohë, janë dhënë rekomandimet fillestare për forcimin e mekanizmave mbrojtës dhe përmirësimin e sigurisë së përgjithshme në infrastrukturat përkatëse.

Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike dënon çdo akt që synon të dëmtojë apo të cenojë infrastrukturat kritike të informacionit në vend dhe thekson angazhimin e tij të palëkundur për të garantuar integritetin, konfidencialitetin dhe disponueshmërinë e sistemeve të teknologjisë së informacionit në Republikën e Shqipërisë. /Versus.al

Tags:

ask sulm

Poll