AKTUALITET /

Vodhën naftë nga mjetet e punës, pezullohen nga detyra tre punonjës të bashkisë Vlorë

Shkruar nga Versus
Vodhën naftë nga mjetet e punës, pezullohen nga detyra tre
Godina e bashkisë së Vlorës

Vlorë- Që prej datës 19 dhjetor, tre punonjës të bashkisë janë pezulluar nga detyra pasi dyshohet se kanë bashkëpunuar me njëri tjetrin për të marrë karburant nga mjetet e punës në Pikën e Grumbullimit të Mbetjeve. Mes tyre është edhe një efektiv i policisë bashkiake për të cilin ka nisur hetimi disiplinor.

Një prej punonjësve të policisë bashkiake me inicialet I.Dh njoftoi Përgjegjësin e Sektorit E.V. se shoferi i një kamioni të ushtrisë, i parkuar brenda territorit të Pikës së Grumbullimit të Mbetjeve dhe i angazhuar në pastrimin e rrjetit të kanalizimeve të qytetit, kishte konstatuar shenja të dyshimta që tregonin se nga mjeti i punës mund të ishte marrë karburant.

Menjëherë pas njoftimit, Përgjegjësi i Sektorit, së bashku me efektivin P.M., janë paraqitur në ambientet e Pikës së Grumbullimit të Mbetjeve. Pas kontaktit me komandantin përgjegjës të mjeteve të ushtrisë, janë siguruar dhe verifikuar pamjet e kamerave të sigurisë në zonën ku ishte parkuar kamioni.

Gjatë këqyrjes së pamjeve filmike, rezulton se kamera që mbulonte këtë zonë është spostuar qëllimisht. E njëjta situatë është konstatuar edhe në një tjetër interval kohor kur ka qenë me shërbim, efektivi i policisë bashkiake M.J.

Ky i fundit, ka pretenduar se kamerat janë lëvizur me arsyetimin se dy punonjës të ndërmarrjes së pastrimit, me iniciale A.B. dhe B.H., i kishin kërkuar zhvendosjen e pamjes së kamerave për të furnizuar automjetin e tyre me një bidon naftë. Ndaj efektivit nisën hetimet për shkelje të detyrës, ndërsa po punohet për të zbardhur plotësisht ngjarjen. Versus.al

Poll