
Tone Lekgegaj, avokatja e caktuar nga gjykata e Durrësit për Marjan Kodhelin, 25 vjeçarin që vrau babain me thikë, ka folur për mediat duke sqaruar se autori ende nuk e kupton se çfarë ka bërë.
Duke e përshkruar të riun si person me karakter të mbyllur e të heshtur, Lekgega thotë më tej se e ëma e tij ka deklaruar se në shtëpinë e tyre nuk kishin patur konflikte të mëhershme. Ndërsa 25 vjeçari duke qenë se prej vitesh kishte qenë në emigracion, ende nuk dihet se çfarë mund të ketë përjetuar dhe sesi mund të ketë ndikuar tek ai.
“U vendos arrestimi i ligjshëm dhe u la në burg, Marjan Kodheli. Akoma nuk është bërë një ekzaminim paraprak, ai ende nuk e kupton veprimin që ka bërë. Marjani shihet si një njeri i mbyllur dhe i heshtur, nuk e dimë se çfarë ka vuajtur ai nga brenda. Është një veprim i rëndë, ka qenë veprim i pa paramenduar nga askush.
Ka qenë një veprim i momentit. Në komunitet ka qenë një familje e rregullt dhe punëtore. I ndjeri ka qenë familjar dhe i rregullt, punëtor, që ka kontribuar për familjen e tij. Nga njerëzit kam dëgjuar se ai ka pajtuar edhe gjaqe. Mamaja e autorit dhe bashkëshortja e të ndjerit ka deklaruar se nuk kanë pasur asnjëherë konflikte. Marjani që 18 vjeç ka emigruar, ka mbaruar shkollën e mesme. Gjatë kohës që ka qenë në shkollë edhe ka punuar.
Pas moshës 18-vjeçare ka qenë emigrant, nuk e dimë se si është ndjerë ai atje. Kur është kthyer, në qershor, ka qenë një njeri i heshtur. Po priste të merrte një biletë dhe të kthehej në vendin e punës, para pak ditësh atij i kishte vdekur gjyshja. I ati i ka kërkuar të qëndrojë edhe disa ditë, i ka thënë kujdes kur vijnë njerëzit t’i presësh dhe përcjellësh. Këto fjalë atij mund të mos i kenë pëlqyer. Marjani nuk është shoqëruar asnjëherë në komisariat”- tha avokatja. Versus.al

