Pandeli Nakoleci, 40 vjeç, ka ndryshuar dëshminë për vrasjen e gruas së tij, Marjola Nakoleci, ngjarje që ndodhi në Volos të Greqisë.
Fillimisht, në dëshminë e dhënë para policisë pas ngjarjes, ai deklaroi se gruaja e "meritonte të vdiste", duke e justifikuar veprimin e tij me dyshimet për tradhti. Por së fundmi, në një intervistë televizive për kanalin grek Mega, ai ka ndryshuar versionin e tij të ngjarjes.
Në intervistë, 40-vjeçari shqiptar pretendon se nuk kishte ndërmend ta vriste gruan, por vetëm ta trembte. Ai shprehet se “humbi mendjen” pasi, sipas tij, bashkëshortja i kishte pranuar tradhtinë. Gjithashtu, ai përmend një “person të tretë” që, sipas tij, ka ndikuar në shkatërrimin e familjes së tyre.
“E doja shumë gruan time, nuk kisha planifikuar ta vrisja apo ta dëmtoja, doja vetëm ta trembja me çfarë kisha në dorë. U çmenda, humba mendjen kur ajo më tha se fëmija që kishte humbur nuk kishte qenë i imi dhe se do më tregonte foto dhe video me partnerin e saj të ri. Dyshimet e mia u konfirmuan. Që nga Pashka, filloi e keqja. Një person i tretë na shkatërroi familjen. Ndjej keqardhje, mendoj për fëmijët e mi, çfarë do të bëhet me ta, do doja ta ktheja kohën pas, të lëndoja veten time. Punova shumë për familjen time kisha besim të plotë te ajo. Por në Facebook e TikTok komunikonte me një person tjetër, sjellja e saj ndryshoi plotësisht. U përpoqa shumë herë ta shpëtoja martesën time. Kishim vetëm zënka verbale, nuk ngrita kurrë dorë ndaj saj. I dua shumë fëmijët e mi dhe u kërkoj falje”, tha Pandeli Nakoleci në emisionin televiziv. /Versus.al







