Andri Vokrri, 28-vjeçari i arrestuar për vrasjen me çekiç të Petrit Ndout, ka shprehur pendesë të plotë gjatë rimarrjes në pyetje sot.
Në pamundësi për të kujtuar qartë ngjarjen për shkak të efektit të alkoolit, ai ka mohuar se ka pasur qëllim vrasjeje.
Sipas dëshmisë së tij, konfliktit i ka paraprirë një përplasje në rrugë.
"Pashë një makinë që më kishte zënë rrugën. I kërkova të largohej që të kaloj unë i pari, se mund të bënim aksident. Nuk më dëgjoi dhe kaluam paralel. Kur makina u fërkua, dola jashtë dhe e godita me çekiç. Nuk mbaj mend më shumë, isha i dehur", ka deklaruar Vokrri.
Ndërkohë, dy shokët e tij, Lorenc Goga dhe Fation Kulla, të arrestuar për moskallëzimin e krimit, kanë shpjeguar se u larguan menjëherë nga vendngjarja pasi u frikësuan nga pasojat e mundshme të incidentit. Autoritetet po vazhdojnë hetimet për ngjarjen e rëndë të ndodhur pak pas mesnatës së djeshme./Versus.al


