Sot babai i Ervis Martinajt, biznesmenit të zhdukur prej vitit 2022 ka kërkuar nga gjykata e Lezhës që të shpallë të zhdukur të birin i cili rezulton edhe në kërkim për disa ngjarje kriminale të dosjes ‘’Plumbi i Artë’’.
Gazetari Elton Qyno u shpreh në Report Tv se në rast se gjykata shpall të zhdukur Martinajn, atëherë emri i këtij të fundit çrregjistrohet nga gjendja civile dhe hetimi pasuror ndaj tij pushon duke bërë që të gjitha asetet pasurore t’i kalojnë familjes.
‘’Çështjet në Prokurorinë e Posaçme kundër Martinajt pushohen automatikisht, sepse ka një vendim gjykata se është i zhdukur dhe hetimi pasuror ndaj tij që ka nisur në Prokurorinë e Posaçme sjell pushimin e procedimit. Kërkesa e familjes së tij, është kërkesë procedurale për arsyen e zhdukjes së personit, ai po bënë 3 vite që është zhdukur dhe në këto kushte familjarëve u lind e drejta brenda një afati kohor që ti drejtohen gjykatës me një kërkesë duke kërkuar që përmes një vendimi, familjari i tyre të deklarohet i zhdukur që më pas ky vendim gjykate të çohet në Prokurorin e Posaçme, ku ai ka dy çështje por edhe në gjendjen civile të bashkisë Kurtin për çregjistrimin e tij nga gjendja civile dhe kalimin e aseteve trashëgimore i kalojnë familjes së tij’’ tha gazetari Qyno.
Sipas tij, i dyshuari kryesor është 37 vjeçari i arrestuar së fundmi, Aldo Avdylaj i cili njihej si personazh shumë i rrezikshëm i grupit të Avdylajve të Shijakut.
‘’I vetmi që është i dyshuar për zhdukjen e Ervis Martinajt është Aldo Avdyli. Por, Martinaj është një nga personazhet që ka një interes të madh në publik. Ai kishte një audiencë të madhe edhe në shoëbiz, po ashtu edhe me lojërat e fatit. Mjafton një foto e tij dhe një titull në portale, lajmi kuptohet që renditet në lajmet e para më të lexueshme. Nëse ai shfaqet sot duket që të ekzekutohen dy masa sigurie arrest me burg që ka, por unë mendoj se ai është zhdukur plotësisht’’- shtoi Qyno. Versus.al







