AKTUALITET /

Zbulohet telefoni sekret i “bossit” të krimit, Laert Haxhiu. Operacion i befasishëm në burgun e Drenovës

Mjeti dyshohet të jetë përdorur për koordinim dhe komunikim të paligjshëm me rrjetin e tij kriminal jashtë mureve të burgut.

Shkruar nga Versus

Zbulohet telefoni sekret i “bossit” të krimit, Laert Haxhiu.

Në një lëvizje surprizë për luftën kundër hyrjes së sendeve të palejueshme në institucionet e vuajtjes së dënimit, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka kaluar në "sitë" situatën në Drenovë gjatë një kontrolli të papritur.

Në qelinë e një prej emrave më të njohur të krimit të organizuar shqiptar, Laert Haxhiu, u gjet dhe sekuestrua një telefon celular, mjet që dyshohet të jetë përdorur për koordinim dhe komunikim të paligjshëm me rrjetin e tij kriminal jashtë mureve të burgut.

Pas kësaj Laert Haxhiu, është izoluar, për të mund të aplikohet edhe regjimi I izolimit total 41 BIS. Ndërkohë celulari I Laert Haxhiut pritet që të zbërthehet për të parë komunikimet dhe kontaktet që kishte në këtë aparat.

Kush është Laert Haxhiu?

Më shumë se një kriminel i zakonshëm, 32-vjeçari është dënuar me burgim të përjetshëm për një mori krimesh: vrasje me paramendim, pjesëmarrje në grupe kriminale, mbajtje armësh dhe prishje rendi. Ai është ekstraduar në korrik 2024 nga Greqia në rrethana të rrepta sigurie.

Dokumentet zyrtare tregojnë se pjesë e aktakuza janë: masakra e Lushnjës (tetor 2017) ku humbën jetën dy të rinj, si dhe tentativa e vrasjes së disa personave të tjerë si pjesë e hakmarrjes. Në 2016-2017 ai ishte përfshirë në vrasje, trafik droge, armëmbajtje të paligjshme dhe përplasje me bandat rivale, përfshi ish-kreun e Bandes së Lushnjes, Aldo Bare dhe grupet e tij.

Poll