Gjatë 48 orëve të fundit, Shqipëria po përballet me një situatë të jashtëzakonshme për shkak të zjarreve masive që kanë përfshirë disa zona të vendit. Flakët nuk kanë kursyer asgjë, duke shkatërruar banesa dhe pasuri për të cilat banorët kishin punuar gjithë jetën.
Me dhjetëra forca zjarrfikëse, të mbështetura edhe nga qytetarët vendas, po luftojnë pa pushim në vatrat e zjarrit, me synimin për të vënë nën kontroll flakët dhe për të ndalur përhapjen e tyre.
Situata më kritike paraqitet në zonën e Gramshit, ku disa fshatra janë përfshirë nga zjarri, duke lënë pas një gjurmë shkatërrimi. Në këtë betejë me flakët është shquar Mirgen Çela, një 35-vjeçar nga zona, i cili arriti të shpëtonte tre familje nga përfshirja në zjarr, por nuk mundi të shpëtonte shtëpinë e tij, e cila u dogj plotësisht.
Në një rrëfim prekës Çela tregoi momentet dramatike që përjetoi:
“Ishte e tmerrshme. Tym kudo, nuk shihje asgjë. Ecja nëpër tym, të kapur dorë për dore, njëri pas tjetrit... vetëm ashtu mundëm të dalim gjallë,” – rrëfen ai, ende i tronditur nga ngjarja.
Ai përshkroi me ankth përhapjen e shpejtë të zjarrit, që nuk u la kohë banorëve të reagonin:
“Kur zbrita disa metra më poshtë, mendova se s’do ja dilja. Flakët kaluan nga Kullollasi për në Skënderbegas si baruti. Ishin kudo. Shpëtova tre familje, por… kur shkova më vonë në Skënderbegas, shtëpia ime ishte djegur. Ishte zhdukur.”
Me sytë e mbushur me trishtim, ai përfundon rrëfimin:
“Nuk kam fjalë… po shohim vdekjen me sy.” /Versus.al/







