
Në fshatin Drizë të Fierit, situata e krijuar nga zjarret është kritike.
Forcat e armatosura kanë evakuuar 6 familje, ndërsa janë në monitorim dhe të tjerë banorë që mund të kenë nevojë për ndihmë..
Drejtuesja politike e PS për qarkun e Fierit, Belinda Balluku shkruan se zjarret po favorizohen nga erërat e forta, ndërsa pritet të angazhohet në ndihmë të zjarrfikësve edhe një helikopter i dytë i Forcave të Armatosura.
Postimi i Ballukut
Gjatë orëve të paradites, në fshatin #Drizë të Fierit ka rënë zjarr, i cili, i favorizuar nga era e fortë, është përhapur drejt zonave të tjera përreth.
Në terren ndodhen shërbimet e Policisë së Shtetit, me njësitë e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, patrulla të Rendit Publik dhe Policisë Rrugore, të cilat kanë evakuuar 6 familje nga banesat e tyre dhe po monitorojnë situatën për të garantuar sigurinë e banorëve.
Strukturat e Emergjencave Civile, në bashkëpunim me shërbimin zjarrfikës dhe institucionet e tjera përgjegjëse, po punojnë intensivisht për izolimin dhe shuarjen e vatrës së zjarrit, pavarësisht vështirësive të krijuara nga erërat e forta.
Në operacion është angazhuar edhe një helikopter i Forcave të Armatosura, ndërsa pritet që një helikopter i dytë t’i bashkohet ndërhyrjes në çdo moment./Versus.al

