
NATO po shqyrton marrjen e një qëndrimi më të vendosur kundër sulmeve kibernetike, sabotimit dhe shkeljeve të hapësirës ajrore nga Rusia, tha për Financial Times kryetari i komitetit ushtarak të Aleancës së Atlantikut të Veriut, Admirali Giuseppe Cavo Dragone.
"Ne po studiojmë gjithçka... Në hapësirën kibernetike, ne jemi disi reaktivë. Po mendojmë të bëhemi më agresivë ose proaktivë sesa reaktivë", tha ai për FT
Ai gjithashtu vuri në dukje se një “sulm parandalues” mund të konsiderohet, në disa raste, një “veprim mbrojtës”, por vuri në dukje se një qasje e tillë “largohet nga mënyra jonë e zakonshme e të menduarit dhe sjelljes”.
Ndërsa disa anëtarë të NATO-s, veçanërisht në Evropën Lindore, kanë kërkuar një qëndrim më të ashpër, Dragone vëren se çdo ndryshim kërkon shqyrtim të kujdesshëm të kufijve ligjorë dhe juridiksionalë. “Të qenit më agresivë krahasuar me agresionin e kundërshtarëve tanë mund të jetë një mundësi. Çështjet janë kuadri ligjor, kuadri juridiksional, kush do ta bëjë këtë?” pyeti ai.
Duke dashur të tregonte një operacion të suksesshëm parandalues, admirali italian iu referua misionit Baltik Sentry të NATO-s , një operacion që vendos anije, avionë dhe dronë detarë aleatë për të monitoruar infrastrukturën kritike në Detin Baltik pas incidenteve të shumta të prerjes së kabllove në 2023 dhe 2024.
“Që nga fillimi i misionit Baltic Sentry, nuk ka ndodhur asgjë. Kjo do të thotë që parandalimi po funksionon”, i tha ai FT.
Sipas Dragone, sfida qendrore për NATO-n është të përcaktojë se si të parandalojë sulmet hibride në të ardhmen: “Mënyra se si arrihet parandalimi - përmes hakmarrjes, përmes sulmeve parandaluese - është diçka që duhet ta analizojmë në thellësi, sepse në të ardhmen mund të ketë edhe më shumë presion mbi këtë çështje.”/Versus.al
