
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e ka paralajmëruar përsëri Bjellorusinë kundër çdo pjesëmarrjeje në luftën e zhvilluar nga Rusia kundër vendit të tij. Kreu i shtetit ukrainas përmendi posaçërisht "aktivitetin e pazakontë" të vërejtur të premten në kufi.
Kievi po e monitoron nga afër situatën dhe “do të reagojë nëse është e nevojshme”, tha presidenti ukrainas në një videomesazh.
“Ukraina është gati të mbrojë popullin dhe sovranitetin e saj”, shtoi ai, pa dhënë detaje të mëtejshme rreth asaj që ishte vërejtur në kufirin me Bjellorusinë.
Muajin e kaluar, Ukraina e kishte paralajmëruar Bjellorusinë dhe kishte vendosur sanksione që synonin, ndër të tjera, dy djemtë e Presidentit Alexander Lukashenko.
Gjatë pushtimit në shkurt të vitit 2022, ushtria ruse sulmoi gjithashtu Ukrainën nga territori bjellorus. Megjithatë, Minsk nuk kishte marrë pjesë ende drejtpërdrejt në luftime.

