BOTA /

Arrestohet në Berlin 22-vjeçari sirian që planifikonte sulm kamikaz

Në banesë i gjenden eksplozivë dhe prova lidhjeje me ISIS. Njësia speciale e policisë gjermane ndalon në kohë një akt të mundshëm terrorist. I riu, që jetonte në Gjermani me status mbrojtjeje, dyshohet se po përgatiste një sulm vetëvrasës në kryeqytet.

Shkruar nga Versus

Arrestohet në Berlin 22-vjeçari sirian që planifikonte sulm

Një operacion i befasishëm i forcave speciale gjermane ka parandaluar një ngjarje që mund të kishte pasur pasoja të rënda për Berlinin. Të shtunën, më 1 nëntor, policia arrestoi një 22-vjeçar me origjinë siriane, i identifikuar si Abdullah R., nën akuzën për përgatitje të një krimi të rëndë që rrezikon shtetin, me motiv islamist.

Sipas Zyrës së Prokurorit Publik të Berlinit, i riu dyshohet se kishte planifikuar një sulm terrorist në kryeqytet, ndërsa hetimet e deritanishme tregojnë se qëllimi mund të ketë qenë një sulm vetëvrasës (kamikaz) në një vend publik, raportoi e përditshmja “Bild”.

Gjatë kontrollit në banesën e tij, policia zbuloi eksplozivë dhe materiale përgatitore, të cilat ai i kishte blerë në internet, si dhe prova të qarta që e lidhin me organizatën terroriste “Shteti Islamik” (ISIS).

Abdullah R. ndodhej në Gjermani që nga viti 2023, me status mbrojtjeje plotësuese, ndërsa hetuesit po përpiqen të zbulojnë nëse kishte bashkëpunëtorë apo mbështetje logjistike brenda vendit.

Ngjarja ka rikthyer shqetësimin për rrezikun e radikalizimit brenda grupeve të refugjatëve, ndërsa autoritetet gjermane kanë paralajmëruar masa të shtuara sigurie në zonat më të frekuentuara të Berlinit.

 

Poll